Covid vjedh Krishtlindjen?!

Disa vende europiane po udhëzojnë qytetarët e tyre të mos nisin planifikimet për festat e Krishtlindjeve pasi situata me pandeminë e koronavirusit mbetet e pasigurt.

Në Itali vendimi për ashpërsimin e karantinës dhe orën policore pritet të qartësohet pas disa ditësh kur të jetë provuar se masat aktuale antikovid po japin efekt.

Për pasojë, në zonat e kuqe me normë të lartë infeksioni, izolimi me orar mendohet se do të mbetet në fuqi dhe festat e fundvitit do të kufizohen me pjesëmarrjen vetëm të familjarëve.

Do sugjerohet limitimi i kontakteve me të moshuarit, përqafimet e rastit, dhe maskat do kërkohet të mbahen deri në momentin kur personat të ulen në tavolinë për darkën speciale, pasi është konfirmuar se 75 deri 80 përqind e rasteve të infektimit ndodhin pikërisht brenda familjes.

Për blerjet në dyqane, do ketë fasha të caktuara orare për personat mbi 65 vjeç më të rrezikuar nga kovidi-19.

Qeveria italiane thotë se është herët të shpallë që tani plane të detajuara pasi është e shqetësuar edhe për anën psikologjike dhe ekonomike të qytetarëve të vet.

Në shtetet e tjera të BE-së, Suedia ka paralajmëruar shtetasit e vet që të behen gati për kufizime të reja gjatë festave të fundvitit dhe pamundësi për lëvizjet mes rajoneve të ndryshme.

Edhe qeveria iralndeze informoi qytetarët të mos i presin ende biletat e avionit për në vendlindje, pasi situata epidemiologjike do mbetet e vështirë edhe për të paktën dy javë të tjera.

Në Francë, qytetarët lejohet tani të largohen nga banesat e tyre vetëm për punë, për të bërë blerjet e zakonshme ose për t'u ushtruar fizikisht apo për arsye shëndetësore.

Kryeministri Zhon Kasteks ka thënë se në bazë të shifrave të kovidit, disa nga dyqanet mund të lejohen të rihapen, por baret dhe restorantet duhet të qëndrojnë mbyllur edhe pas dhjetorit.

Planet për sezonin festiv të Vitit të Ri mbeten të përcaktohen edhe në Britaninë e Madhe porse parlamenti atje ka votuar që i gjithë vendi të karantinohet të paktën deri më 2 dhjetor.