Vritet gazetari i Radio Evropa e Lirë, i vihet eksploziv në makinën e tij

Elyas Dayee, gazetar i Radios Evropa e Lirë, është vrarë të enjten në provicën afgane Helmad, si pasojë e një bombe që i është ngjitur në makinën e tij.

Omer Zëak, zëdhënës i guvernatorit të provincës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bomba e ngjitur në makinën e Dayee, ka vrarë gazetarin dhe ka plagosur tre persona tjerë, duke përfshirë vëllain e tij.

Ende askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin. Dayee ka punuar për Shërbimin e Afganistanit në Radion Evropa e Lirë.

Zëdhënësi i presidencës afgane, Siddiq Siddiqui, ka dënuar “vrasjen” e Dayees duke thënë se mbrapa sulmit qëndrojnë armiqtë e lirisë së shprehjes dhe mediave në Afganistan”.

Dhuna është rritur në gjithë Afganistanin, teksa negociatorët qeveritarë dhe talibanët janë duke zhvilluar takime në Katar për të gjetur zgjidhje për luftën në Afganistan.