Varhelyi bisedon online me Ramën: Presim që Shqipëria të përparojë në rrugën e BE-së

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim online me kryeministrin Edi Rama.

Siç bën me dije Varhelyi, me Ramën diskutoi mbi punën e vazhdueshme për të përfunduar Kornizat Negociuese, mbështetjen në luftën kundër COVID 19 si dhe përgatitjet për samitin e Sofjes që do të mbahet javën e ardhshme.

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin thotë se pret që Shqipëria të përparojë në rrugën e BE-së.

Pas bisedës me komisionerin për zgjerim, Oliver Varhelyi, Edi Rama ka biseduar dhe me Përfaqësuesin e lartë të poltikës së jashtme në BE, Josep Borell.

"Unë e mirëpres angazhimin e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e pranimit në BE. Siç diskutohet me kryeministrin Rama, është thelbësore të ruhet dinamika e marrëdhënies BE-Ballkan Perëndimor. Me Shqipërinë që luan një rol të rëndësishëm" - shkruan Borrell.

Me Shqipërinë më afër se kurrë për fillimin e negociatave të pranimit në BE, Përfaqësuesi i Lartë nënvizoi nevojën për të vazhduar kryerjen e reformave kryesore identifikuara nga Këshilli. Kontributi i të gjitha forcave politike do të jetë i dobishëm në sjelljen e vendit në hapin tjetër.

Sa i përket politikës së jashtme, Përfaqësuesi i Lartë Borrell vlerësoi harmonizimin e vazhdueshëm të Shqipërisë me pozicionet e politikës së jashtme të BE.

Për bisedën e Ramës me Borell reagoi në twitter dhe ambasadori i BE-së, Soreca, duke shpërndarë deklaratën e këtij të fundit.