Kosova refuzon një karantinim të dytë, MSH: Ja masat e reja që do merren

Në Kosovë qeveria lajmëroi masa të reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se vendimi vjen pas rritjes së numrit të rasteve të të infektuarve.

Ndër masat e reja janë ndalimi i punës së qendrave tregtare nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Brenda këtij intervali kohor do të ndalohet edhe puna në bare dhe restorante, përveç atyre që ofrojnë dërgimin e ushqimit në banesë.

Po ashtu, Zemaj tha se është rekomanduar që të reduktohet stafi në institucionet publike dhe private si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal.

Vetëm sektori i shëndetësisë dhe sigurisë do të punojë me kapacitete të plota. Pacientët me sëmundje kronike dhe ata mbi 60-vjeç ndalohet të dalin nga shtëpia. Ndërkaq, personat mbi moshën 65-vjeçare, mund të dalin nga ora 06:00 deri në 10:00 si dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00. Jashtë këtij orari, ministri Zemaj tha se ata mund të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

 “Qytetarët nuk e meritojnë mbylljen që dëmton të gjitha fushat e jetës,” tha Zemaj.

Por qytetarët kundërshtojnë. Sipas tyre një gjë e tillë do të përkeqësonte gjendjen ekonomike.

“Unë mendoj që nuk është mirë për shkak të ekonomisë, sidomos për ne që nuk qëndrojmë mirë ekonomikisht... Do të pësojnë bizneset prapë dhe do të përkeqësohet gjendja prapë. Nuk do të ishte e dobishme”, thotë një qytetar i Prishtinës.

Shteti është i dobët dhe nuk ndihmon dot qytetarët, ndaj dhe një mbyllje e dytë shihet si shkatërrim.

“S’po mundemi me i ra në fije, nuk është vendi që duhet me u izolu shteti nuk po ndihmon kurgjo...Ekonomin edhe ashtu e kemi të dobët, nuk kem çka flasim. Këtu askujt nuk po i intereson për popull”, tha një tjetër.

Disa qytetarë kërkojnë vetëm respektim i masave të tanishme.