I vendosën tritol në banesë, gazetari: Nuk di të drejtoj gishtin... Vajza filloi të qante
Gazetari nga Lezha, Elidon Ndreka, në banesën e të cilit u vendos një sasi tritoli mëngjesin e sotëm, thotë se nuk ka dijeni se kush mund të jenë autorët.
Në një deklaratë për kolegët e tij, Ndreka deklaroi se ngjarja ka frikësuar familjen pasi shpërthimi ishte I forte, ndërsa tregoi edhe si e përjetoi ngjarjen vajza e vogël.
Gazetari: “Nuk di të drejtoj gishtin tek një person apo disa individë të ndryshëm, se nga kush mund të jetë kryer por shpresoj që policia të zbardhë dhe ti shkojë deri në fund ngjarjes.
Unë prej vitesh ushtroj profesionin e gazetarit, dhe e vetmja indice mund të jetë puna që bëj. Por nuk di të drejtoj gishtin. Kjo është një ngjarje e rëndë. Unë jetoj në banesë me prindërit, bashkëshorten dhe dy vajzat.
Tronditja ishte e madhe, vajza filloi të qante pasi shpërthimi ishte goxha i rëndë. Shpresoj që drejtësia ta zbardhë. Kam besim të plotë që do të zbardhet në bazë të provave dhe nga kamerat e sigurisë. Janë sekuestruar pamjet filmike”.
Njoftimi i Policisë për ngjarjen:
“Më datë 30.10.2020, rreth orës 00:30, në fshatin Balldre , Lezhë, në pjesën e jashtme të hyrjes së banesës së shtetasit E.N, ka shpërthyer një sasi e vogël dyshohet lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”.