Anti-shqiptar dhe "bekues" i krimeve serbe/ Covid-19 i merr jetën mitropolitit Amfilohije
Koronavirusi i ka marrë jetën kryepeshkopit Amfilohije të Kishës Ortodokse Serbe. Ai po kurohej prej javësh për infeksionin dhe ishte figurë e rëndësishme fetare dhe politike në Malin e Zi.
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, mitropoliti Amfilohije, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare pas betejës disajavore me koronavirusin.
Kisha informoi se kryepeshkopi gjeti vdekjen mëngjesin e së premtes, në orën 8:20 minuta, pasi gjendja e tij ishte përkeqësuar për shkak të frymëmarrjes së rënduar nga pneumonia.
Ai ishte shtruar në spital më 6 tetor me simptomat e hershme të sëmundjes infektive.
"Do shpresoja shumë që ky lajm të mos jetë i vërtetë, por i shpreh ngushëllimet patriarkut dhe popullit serb," reagoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kryepeshkopi Amfilohije lindi më 7 janar të vitit 1938 afër qytetit verior të Kolashinit, dhe ndoqi studimet teologjike e filozofike në Beograd, më pas në Zvicër, Itali dhe Athinë.
Ai konsiderohet figura fetare dhe politike më e rëndësishme në Malin e Zi, duke rivalizuar presidentin aktual, Milo Gjukanoviç, që nga viti 1991 kur të dy morën pushtetet përkatëse.
Mitropoliti i Malit të Zi njihet për qëndrimet e tij anti-shqiptare. Për dekada me rradhë ai "ka bekuar" çdo krim te Serbise, ka luftuar pavarësine e Malit të Zi dhe ka nxitur urrejtje kundër shqiptarëve.
Mitropoliti Amfilohije ishte një nga mbështetësit e politikave të ish-president serb, Slobodan Milosheviç dhe liderit të serbëve në Bosnjë, Radovan Karaxhiçit, duke u fajësuar edhe nga vetë presidenti Gjukanoviç se ai dëshironte të realizonte ëndrrën e Serbisë së Madhe.
Përplasjet mes dy krerëve u shtuan vitin e kaluar me protestat disamujore të Kishës për shkak të miratimit të një ligji që mendohet se synon konfiskimin e pronave dhe cenimin e klerit serb.
Mitropoliti Amfilohije mbështeti opozitën proserbe në fitoren e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Kandidati për kryeministër i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, tha se me largimin e tij nga jeta, vendi ka humbur një njeri të madh dhe do të shpallë ditë zie.
Autoritetet malazeze kanë regjistruar gjithsej mbi 17 mijë raste dhe 280 viktima nga Covid-19.
