Kosovë- Serbi, të enjten takimi në Bruksel në nivel ekspertësh

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se të enjten në Bruksel do ketë një takim në nivel ekspertësh mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Pas më shumë se një muaji pezullim të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, temë e diskutimit do të jetë zgjidhja e pretendimeve financiare dhe pronësore midis dy vendeve.

Tryezën do e ndërmjetësojë emisari i posaçëm, Miroslav Lajçak, ndërsa Kosova ka dërguar si përfaqësues ish-kryediplomatin dhe koordinatorin për dialogun, Skender Hysenin, dhe nga Serbia, Marko Gjuriç.

Takimi i parashikuar për në shtator u shty në rrethanat e pandemisë së koronavirusit dhe për shkak të mosmarrëveshjeve rreth temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Avdullah Hoti insiston që themelimi i saj të ndodhë kur palët të kenë avancuar paraprakisht me çështjen e njohjes reciproke me Beogradin.