Vështirësitë nga Covid, nëna e djalit me autizëm: Është çorientuar komplet, terapitë në privat kushtojnë. Ju lutem donatorëve

Me shpërthimin e pandemisë në Shqipëri u ndaluan të gjitha aktivitete, edhe terapitë për fëmijët e spektrit autik. Ky bllokim ka bërë që disa prej tyre të të bëjnë hapa pas për zhvillimin dhe ecurinë e tyre.

Pandemia e Covid-19 ndaloi shumë aktivitete ne vend, por edhe shumë shërbime shëndetësore.

Me vështirësi u përballën sidomos fëmijët me spektrin autik dhe prindërit e tyre, pasi seancat e terapisë u pezulluan.

Edlira Mersinaj  tregon se mungesa e terapive ka bërë që shëndeti i  djalit të saj me çrregullime të këtij spektri  të përkeqësohej, duke bërë hapa pas sa i përket zhvillimit të tij.

"Po pati gjumin dhe po pati sjelljen mos kërko të tjera, se të tjerat kanë rënë poshtë. Jo më të mendosh të bësh terapinë. Është çorientuar komplet."

Djali i saj Lorenco tashmë është 17 vjeç dhe terapitë për të bëhen vetëm privatisht, por kjo ka kosto.

"Terapia është e kushtueshme, 12-15 mijë lekë ora, 300 mijë lekë të vjetra në muaj."

Edlira kërkonë ndihmë për të trajtuar djalin e saj, pasi ajo e ka të pamundur.

"Donatorëve kush të mundë të investojë për Lorencon të vazhdojë ecurinë, e vetme nuk kam çfarë bëj."

Nga shteti merr vetëm KEMP-in, që sipas saj këtë vit do të jetë 3000 lekë më pak. 

"Deri tani është marrë 210 mijë, por sipas informacioneve ulet me 30 mijë lekë."

Edlira e ëndërron Lorencon në sportin e notit, por kjo nuk mund të bëhet pa një mbështetje financiare.

"Ëndrra ime për Lorencon është ta shoh në not, se është mirë."

Qendrat sociale në vend ofrojnë shërbim vetëm për fëmijët deri në moshën 2 vjeç, pas kësaj moshe prindërit e tyre duhet ti zhvillojnë ato në qendra private.