Kryemadhi mbledh të rinjtë: Reagoni! LSI foltorja juaj për të ndryshuar realitetin
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka qenë sot në një takim me të rinjtë e LRI, teksa ka folur gjatë për të gjitha problematikat e tyre.
Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi i ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë të reagojnë kundra realitetit ku jetojnë, teksa ka shtuar se LSI do të jetë pranë tyre si një mundësi për të ngritur zërin.
Kryemadhi: Të rinjtë, përkundrazi, duhet të reagojnë dhe mënyrën për të reaguar e kanë shumë të thjeshtë. Të marrin në dorë fatet e tyre. Të bëhen pjesë e vendimmarrjes dhe që të bëhesh sot pjesë e vendimmarrjes, nuk do të thotë të përkrahësh një kryetar partie, por që të bëhesh pjesë e vendimmarrjes do të thotë që të kesh vizion, të kesh ide dhe t’i realizosh ato.
Prandaj sot këtu, nga Korpusi i Universitetit të Tiranës, sot këtu nga Sheshi Nënë Tereza, ku me bekimin e saj të bekojë këtë rini të mrekullueshme, të bekojë familjet tuaja, por edhe shokët e miqtë tuaj, që t’iu ndriçojë mendjen dhe zemrën, për të vazhduar për të luftuar që të realizoni jo vetëm ëndrrat tuaja, por të krijoni familjet tuaja në Shqipëri.
Ta bëni Shqipërinë shtëpinë tuaj. LSI-ja do të jetë foltorja juaj, jo vetëm për folur dhe për të ngritur zërin, por do të jetë foltorja juaj për të marrë vendimet tuaja, për t’u përfshirë në vendimmarrje, për t’u përfshirë në hartimin e politikave, për të ndryshuar këtë realitet të hidhur dhe për të ecur përpara.
