KPA e riktheu në detyrë, gjyqtari Vjerdha flet për Ora News: Mblodha 6200 firma peticioni, ja puna e parë që do bëj

Kolegji i Posaçëm i Apelit e riktheu në detyrë, duke e bërë të parin gjyqtar që fiton të drejtën për t’u rifutur në radhët e sistemit të drejtësisë. Fuat Vjerdha nga e hëna do të mbajë sërish detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit në Shkoder. Ai flet për RTV Ora rreth këtij vendimi, të cilin thotë se e priste, pasi edhe kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi, ai nuk hezitoi të shfaqte rezervat e tij.

Kënaqësi e veçantë, kënaqësi e paprovuar. Jo se nuk e prisja pasi edhe kur jam prononcuar pas shkarkimit kam patur shumë rezerva për vendimin që është dhënë ndaj meje. Deshi Zoti dhe u ktheva në detyrë”, ka thënë ai.

Bashkë me dokumentacionin që i shërbeu për të apeluar vendimin e KPK, Vjerdha dorëzoi edhe një peticion me mbi 6200 firma.

“Unë kam paraqitur në KPK një peticion prej 6244 firmash. Në fakt me vendimin e shkurtuar që unë u njoha dje nga KPA, ky peticion nuk është marrë si provë, nuk është shqyrtuar. Por unë çmoj që ka shërbyer si një mbështetje në marrjen e këtij vendimi.”

Hapin e parë që do të bëjë me rikthimin në detyrë, Vjerdha deklaron se do të jetë kërkesa drejt KLGJ për të deleguar edhe një tjetër gjyqtar.

Puna e parë që do të bëj, do ti kërkoj Këshillit Gjyqësor të delegojë edhe një gjyqtar tjetër që të bëhet e mundur funksionimi i gjykatës”, ka thënë Vjerdha.

Në fund e ka një mesazh për të gjithë ata që në këto muaj nga një sërë vendimesh të marra, u është minuar besimi tek sistemi i drejtësisë.

Ky vendim i imi ka bërë që të rritet besimi i publikut në Reformën në Drejtësi, njerëzit kanë filluar të mendojnë ndryshe”, shton ai.

Fuat Vjerdha është një prej anëtarëve që votoi kundër vendimit për gjykim të shkurtuar ndaj Dritan Dajtit.