Dita e 10 e grevës së grave, naftëtaret thirrje qeverisë: Mos na detyroni të sjellim fëmijët këtu, po na vret stresi
Në ditën e dhjetë të grevës gratë naftëtare të Ballshit kanë paralajmëruar se do të përfshijnë në protestë edhe fëmijët e tyre.
“Mos na detyroni të sjellim fëmijët këtu. Mos na detyroni të shikojnë fëmijët tanë sakrificën, vdekjen që po bëjmë për ta. Ne jemi të vendosur që do të qëndrojmë këtu, por do të na vijnë edhe fëmijët tanë në mbështetje se s’kanë ku shkojnë”, kanë thënë naftëtaret.
Gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar teksa shprehen se më shumë po i vret heshtja e qeverisë.
“Pothuajse një muaj në grevë urie burra dhe gra. Një heshtje shumë e rëndë nga instancat shtetërore, nga Parlamenti shqiptar. Buka e fëmijëve tanë nuk është emergjente? Dhimbjet që kam unë këtu, lotët e këtyre nënave, këtyre vëllezërve që qajnë jashtë për bukë, nuk është emergjente?”, shtojnë ato.
Dy prej naftëtareve janë dërguar drejt spitali të Ballshit për të marrë kujdesin shëndetësor.
Grevistet refuzojnë të dalin nga greva pa një zgjidhje.
“Nuk ka çfarë negocion fare për lekët tona, për fëmijët që po na vdesin për bukë. Kjo është vërtetë absurd dhe kryeministri most ë thotë që po i bëjmë presion, por ai po na bën presion neve. Nuk e di se çfarë i kushton të vijë këtu, sepse ne nuk dalim nga greva, vetëm të vdekura. Nuk dalim po nuk morëm lekët.”
Ato kërkojnë nga kryeministri Edi Rama që rezistencën e tyre të mos e shikojë si kërcënim dhe të vendosura shprehen se nuk ka asgjë për të negociuar kur po kërkohen vetëm paratë që meritojnë.