Klos: Pas tërmetit, iu shemb edhe çadra
Që prej tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar familja Basi prej 13 anëtarësh nga fshati Plan i Bardhë i Bashkisë së Klosit jeton në çadër pasi shtëpia e tyre u shkatërrua.
Sikur të mos mjaftonte jetesa në kushte të vështira pa një kulm mbi kokë, me kalimin e muajve edhe çadra doli jashtë funksionit duke i lënë familjen 13 anëtarëshe pothuasje në qiell të hapur.
E zonja e shtëpisë, Zile Basi thotë se çadra nuk e mban më shiun dhe gjithçka që bie jashtë, bie edhe brenda. Ajo shprehet gjithashtu se ka frikë që edhe këtë dimër do të duhet ta kalojë në të njëjtat kushte, pasi nuk ka marrë as dëmshpërblim sipas vlerësimit që i është bërë nga ekspertët dhe as banesë të re diku tjetër.
"E gjithë çadra është grisur nga murlani, është bërë bira-bira. I gjithë shiu na futet brenda", tregon e zonja e shtëpisë, Zile Basi.
Qeveria e ka përqendruar vëmendjen në zonat që u shkaktuan dëmet më të mëdha nga tërmeti i Nëntorit të vitit të kaluar, ndërsa për familjet në zonat e tjera, duket sikur mungojnë planet se çfarë do të bëjë me to.