Presidenti Meta në Devoll, dekoron mësuesen e ndjerë Luiza Dule: Dëshmore e shkollës dhe arsimit shqip

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën e lartë “Naim Frashëri”, mësuesen e ndjerë Luiza Dula.

Dule ka humbur jetën në një aksident tragjik më 19 dhjetor të vitit 2018 në rrugën drejt shkollës ku edhe jepte mësim, “Selami Kodra”.

Meta ka shkruar se “mësuese Luiza, nënë e familjare model, është një nga dëshmorët e shkollës dhe arsimit shqip, simbol i përkushtimit dhe i sakrificave të pashembullta, për përhapjen e dijes, deri edhe me jetën e saj, për të mësuar, edukuar, e ndriçuar mendjen e fëmijëve tanë.

Përherë mirënjohës e falenderues për mësuesit shqiptarë të të gjitha kohërave, veçanërisht atyre në zonat e thella, për punën e palodhur në funksion të edukimit e mirëarsimimit të gjeneratave të reja, për dedikimin dhe vetëmohimin e tyre.”

Në aksidentin e rëndë të ndodhur mëngjesin e datës 19 Dhjetor të vitit 2018 ku humbi jetën Luiza Dule, 48 vjeçe, me profesion mësuese, ndërsa ngjarja ka ndodhur teksa ishte nisur për në punë si çdo ditë drejt shkollës së fshatit Arrëz.

Ajo po udhëtonte së bashku me 5 kolegë të tjerë me makinën tip ‘Range Rover’, me targa AA112CA, ndërsa rruga që të çon në fshatin Arrëz të Devollit është tejet e amortizuar, dhe për shkak të ngricës dhe akullit automjeti ka marrë mbrapsht dhe është përmbysur.