Azerbajxhani: Do i thyejmë kurrizin fashizmit armen, shpëtojmë rajonin
Shefat e diplomacive të Azerbajxhanit dhe Armenisë mbërritën të premten në Uashington për të negociuar ndërprerjen e luftimeve gati njëmujore në territorin malor të Nagorno-Karabakut.
Pas konsultimeve fillestare në Moskë, dy funksionarët kanë planifikuar takime me Sekretarin e Shtetit, Majk Pompeo, që nuk janë përcaktuar nëse do të jenë dy- apo tripalëshe.
Armëpushimi konsiderohet prioritet absolut për Armeninë pasi po del më e humbura nga konflikti, ndërsa Azerbajxhani po avancon territorialisht duke shfrytëzuar armatimet nga Turqia aleate.
Sipas presidentit rus, Vladimir Putin, bilanci real i të rënëve në luftë dhe i civilëve të vrarë nga data 27 shtator, shkon në 5 mijë gjithsej.
Ai gjithashtu e kritikon qasjen e Ankarasë për të çuar ushtarët e vet krah azerëve pasi kjo do përfshinte palë të tjera në konflikt.
"Me Turqinë nuk pajtohemi, por presidenti Taip Erdoan edhe pse duket i rreptë, është politikan fleksibël dhe partner i besueshëm për Rusinë. Në unison me SHBA-në ne duam që rajoni të rigjejë paqen."
Azerbajxhani dhe Armenia vijojnë luftimet pavarësisht dy armëpushimeve të javëve të fundit.
Armenët e konsiderojnë lartësirën e Karabakut territor të tyrin që i është marrë padrejtësisht.
Edhe pse ka vetëshpallur autonominë, ai njihet si pjesë e Azerbajxhanit dhe pala azere thotë se mund të pranojnë vetëm autonominë kulturore të Karabakut.
"Është padrejtësi e madhe ta portretizosh Azerbajxhanin si agresor apo okupator. Është fashizmi armen ai që po vret fëmijë, gra e të moshuar, po shkatërron qytetet, xhamitë tona, dhe për këto do t'ia thyejmë kurrizin fashizmit armen, e ta shpëtojmë rajonin njëherë e mirë," u shpreh të enjten presidenti azer, Ilham Alijev, gjatë një takimi me zyrtarët turq në vend.