Trump dhe Biden përplasen për pandeminë, racën dhe taksat
Presidenti republikan i SHBA Donald Trump dhe sfiduesi i tij demokrat, ish nënkryetari Joe Biden, u përfshinë në një debat të fortë të enjten mbrëma pak përpara zgjedhjeve presidenciale
Kandidati demokrat Joe Biden përsëriti akuzat e tij ndaj Presidentit Trump lidhur me reagimin ndaj pandemisë në debatin e dytë dhe të fundit mes dy kandidatëve për president. Biden po përpiqet të rrisë epërsinë ndërsa afrojnë zgjedhjet.
“Kushdo që është përgjegjës për një numër kaq të madh vdekjesh nuk duhet të vazhdojë të jetë president i SHBA. Ky është i njëjti person që ju tha se do të zhdukej kur të vinin Pashkët. I njëjti person që ju tha të mos shqetësoheni, se do të marrë fund kur të vijë vera. Ne jemi tani në prag të një dimri të errët dhe ai nuk ka plane”- tha Biden.
Ndërsa Trump i tha se jemi në prag të një dimri të errët dhe gjatë kësaj kohe e kanë studiuar këtë sëmundje.
“Nuk di gjë që jemi në prag të një dimri të errët. Ne po e rihapim vendin. Kemi mësuar, e kemi studiuar dhe e kuptojmë këtë sëmundje"- tha ai.
Presidenti, i cili u tregua shumë më i përmbajtur se në debatin e parë në fund të shtatorit, kur në mënyrë të përsëritur ia preu fjalën Biden, mbrojti politikat e administratës së tij dhe tha se është kapërcyer faza më e rëndë e pandemisë.
“Po e luftojmë, po e luftojmë fort. E kemi bërë kthesën. Po ikën,”- tha ai.
Trump gjithashtu akuzoi rivalin Biden se synon të mbyllë vendin dhe aktivitetin ekonomik në përgjigje të pandemisë nëse bëhet president.