Firma mbi inceneratorët dhe njohja me Klodian Mërtirin/ Ja si justifikohet Arben Ahmetaj
Ministër i Financave gjatë kohës së firmosjes së inceneratorëve, Arben Ahmetaj, i ftuar sot në "Opinion" ka sqaruar rolin e tij dhe miqësinë me të shumëpërfolurin Klodian Mërtiri.
Ahmetaj është shprehur se ai nuk ka firmosur asnjë kontratë, pasi të gjitha firmosen nga Ministria e Mjedisit.
E keni firmosur ju apo Shkëlqim Cani?
Ahmetaj: Nuk e firmos kontratën ministrin e Financave.
-Si e njeh këtë Klodian Mërtirin?
Ahmetaj: Siç njoh dhe ty, me ty kam më shumë miqësi se me Klodian Mërtirin, me Bashkim Ulajt e me shumë të tjerë.
-Në çfarë rrethanash jeni njohur?
Ahmetaj: Jam njohur në kafe tek “Lion Park”, ndërsa me ty jam njohur në shkollë, me Bashkim Ulajn jam njohur në një darkë pune.
-Nuk keni qenë pjesë e procedurës?
Ahmetaj: Zero, në asnjë.
Dy ditë më parë, ish deputeti democrat Enkelejd Alibeaj publikoi foton e një aksidenti ku pjesë e tij ishin edhe Arben Ahmetaj (nuk është bërë ende e qartë nëse në atë kohë mbante postin e ministrit) e Mirel Mërtiri dhe një drejtor në ministrinë e Ekonomisë Artan Gjokaj.
Ahmetaj: Kur flasim për një aksident duhet t’u referohemi të dhënave zyrtare. Ju referuat Mërtirit, Nardit, Gjokajt. Nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut është e ditur nga investigimi i Prokurorisë për shkaqet e aksidentit. Më nxirrni emrat e pronarëve të inceneratorëve. Ai djali nuk figuron fare.
Figuron bashkëshortja.
Ahmetaj: Unë mund të udhëtoj, mund të ha darkë mund të pi kafe me dhjetra administratorë. Me shumë biznesmenë.
Unë nuk kam qenë pjesë e procedurës. E dini çfarë është konflikti i interesit? Personi që ju i referoheni nuk figuron në dokumenta.
Është bashkëshortja.
Ahmetaj: Bashkëshortja ka përgjegjësi personale.
Ju doni që ta besoj unë këtë. Ju jeni në makinë me një person dhe bashkëshortja e tij fiton një tender 25 milionë euro.
Mërtiri, është bashkëjetuesi i Stela Gugallias, e cila ka në pronësi inceneratorin e Elbasanit, studimin e të cilit e kishtë bërë më herët Klodian Zotos, i cili ka në pronësi nga ana tjetër kompaninë që menaxhon mbetjet e Fierit.
Ndërkohë që po ky biznesmen, është në krye të kompanive që do të menaxhojë mbetjet e Tiranës, duke e përqendruar si asnjëherë në pak duar, një prej aferave më të diskutueshme të kohëve të fundit.