Ciko: Premtimet e qeverisë të fryra prag fushate. Inceneratorët kanalizim i parave nga shtetit te privati
I ftuar në RTV Ora, profesori i ekonomisë Ilir Ciko u shpreh se në 6 muajt e ardhshëm ka një rrezik për ekonominë në raport me pandeminë.
Ai tha se nëse buxheti miratohet në këto terme me shumë gjas do të kemi një rishikim të buxhetit dhe ulje të shpenzimeve të caktuara, sikurse ndodhi edhe këtë vit.
Ciko: Do të duhet që për 6 muajt e ardhshëm ta ndjejmë si një rrezik për ekonominë në raport pandeminë. Do të ndikojë për shkak të rënies së kërkesës dhe faktorëve të tjerë. Të gjitha premtimet me të cilat ndeshemi bazohen në një rimëkëmbje të ekonomisë, gjë e cila nuk dihet nëse do të ndodhë. Viti i ardhshëm është një vit elektoral dhe jemi mësuar me qeveritë që të fryjnë premtimet dhe të hedhin në treg premtimet që nuk kanë përmbushur. Sigurisht që këto premtime janë të ekzagjeruar. Ne këtë vit kemi një rënie të theksuar të ekonomisë që shkon deri në 10%, ndërsa vitin tjetër pritet rreth 5%.
Nëse buxheti miratohet në këto terme me shumë gjasë do të kemi një rishikim të buxhetit dhe ulje të shpenzimeve të caktuara, sikurse ndodhi edhe këtë vit. Shoh një vëmendje të lartë ndaj veprave infrastrukturore të vendit, mendoj se vëmendja e qeverisë duhet të shkojë në drejtim të përballjes së efekteve që ka sjellë pandemie, sidomos varfërisë si pasojë. Qeveria duhet të jetë më e kujdesshme që të mbyllë ato projekte infrastrukturore që kanë nisur prej vitesh, që kanë vite të papërfunduara. Po ashtu kemi edhe kosto të tjera si ato të arbitrazhit, fatura e të cilave është shtuar ndjeshëm. Faturat e tyre janë të krahasueshme me një ministri.
Ciko theksoi se financimi i inceneratorëve ka jnë gjë të çuditshme pasi janë marrë miliona euro dhe nuk janë bërë investimet e premtuara.
Ciko: Financimi i koncesioneve ka diçka shumë të çuditshme. Gjatë viteve të fundit është anatemuar shumë PPP-ja, që përdoret në shumë vende të botës. Në thelb një bashkëpunim i tillë ndodh kur shteti nuk ka mundësi që të kryejë një shërbim të tillë. Problemi me vendin tonë është se disa prej PPP-ve, investitorët nuk marrin risqe dhe kanë financim nga buxheti i shtetit. Koncesionari që ka marrë inceneratorë ka marrë financime me miliona euro dhe nuk kam arritur të kryejë investime. Në këtë rast nuk kemi një koncesion, por vetëm kanalizimin e parave të shtetit drejt një privati.
Ciko shtoi se në rastin e inceneratorëve është se janë grumbulluar të gjitha në njërën dorë gjë që tregon se janë të përfshirë edhe njerëz të pushtetshëm.
Ciko: Në rastin e inceneratorëve është se janë grumbulluar të gjitha në njërën dorë. Nëse kjo kompani largohet nga vendi, kush do ta mbajë përgjegjësinë. Po ashtu, kjo kompani ka treguar se nuk ka eksperiencën e duhur për të zhvilluar këtë proces. SPAK që po merret me këtë çështje, nuk duhet të merret vetëm me zyrtarët e vegjël që kanë ndjekur procedurat, sepse në përmasa të tilla sigurisht që janë përfshirë edhe persona të pushtetshëm.
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti A. Kurti