Mjekja Tomini: Tamponi nuk është kërkesë por vlerësim i epidemiologëve, mos merrni recetë me këshilla shoqërore
Shkëputja e marrëdhënies së pacientëve me mjekun e familjes dhe vetëmjekimi i tyre pa recetë mjeku, vijon të jetë problem edhe në këtë situatë të përballjes me Covid.
Si duket qytetarët i bien shkurt, duke e menaxhuar situatën në varësi të përvojave të tyre shoqërore.
Tomini: Nuk merret recetë me këshilla shoqërore, të grumbullojmë ilaçe apo medikamente në shtëpi nëse na zë virusi dhe të përdorim recetën që përdori doktoreshë Eugena, nuk ka kuptim. Duhet zbatuar protokolli që jep mjeku i familjes. Nuk ka pse të përdoren antibiotikë apo antiviralë kur nuk është e nevojshme.
Eugena Tomini, shefja e Epidemiologjisë dhe Survejancës në Institutin e Shëndetit Publik, në një intervistë për Ora News thotë se edhe kryerja e tamponit nuk mund të bëhet vetëm nisur nga një kërkesë apo dyshim i qytetarit.
Tomini: Tamponi nazofaringial nuk është kërkesë, por vlerësim që epidemiologët realizojnë kundrejt pacientit. Dëgjohet shpesh se dua të bëj tamponin.Vlerësohet nga një grup epidemiologësh.
Shtimin e rasteve me Covid në vjeshtë ajo e sheh si faturë të shkujdesjes gjatë verës dhe jo hapjes së shkllave.
Tomini: Në 6 javët e fundit kemi vënë re një trend në rritje dhe ky ka qenë i qëndrueshëm në dy javët që lamë pas. Të gjithë strukturat janë duke monitoruar në vijim.Fakti që stina e vjeshtës favorizon edhe virozat e tjera respiratore që ne jemi përballur prej vitesh me to, gripi gjithashtu. Covidi do të jetë paralelisht me to, një prerje me thikë për ti ndarë është shumë e vështirë.
Situata është në alert për të monitoruar çdo rast të rëndë që mund të paraqitet në spitalet rajonale. Në çerdhe, kopshte dhe shkolla kemi pasur evidentime të rasteve. Është zëvendësuar stafi. Hapja e shkollave nuk pati ndonjë impakt në drejtim të pozitivitetit por respektimi i masave dhe ndërgjegjësimi i popullatës për ti respektuar këto masa gjatë verës i reflektoi më pas.
Gazetarja e Ora News, Matilda Mcini, i referoi mjekes rastin e një nxënësi të infektuar me Covid, i cili ka frekuentuar shkollën gjatë kohës që priste përgjigjen e tamponit. Rezultimi më pas pozitiv ka krijuar shqetësim te nxënësit e klasës dhe prindërit e tyre.
Tomini: Do ta ndjek personalisht. Jam e bindur që hetimi epidemiologjik ka hyrë thellë. Nuk përjashtohet që gjithë klasa të testohet.
Tomini, e cila është edhe pjesë e Task-forcës anti-Covid-19 foli edhe rreth rolit të psikologut te pacientët me koronavirus.
Tomini: Ka struktura shëndetësore që e kanë të vështirë brenda organikës së tyre një specialit psikolog jo vetëm për Covid 19 por edhe për diagnoza të tjera. Vetë sëmundja, vetë sjellja e mjekëve me veshjet specifike të sjell një lloj distance edhe në prezencën e psikologut brenda këtyre ambjenteve. Spitali Infektiv dhe Shefqet Ndroqi kanë luajtur një rol të dyfishtë në momente të caktuara për të sjellë sadopak ulje të panikut te këta pacientë.
Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana