Afera e inceneratorëve, Yuri Kim: Detyra e SPAK të shohë provat. Një këshillë për Metën, Ramën dhe Bashën për 25 prillin
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, thotë se ka pritshmëri te SPAK për hetimin e dy dosjeve të dorëzuara nga Partia Demokratike për aferën e inceneratorëve.
Kim: Kam të gjitha pritshmëritë se SPAK do bëjë pjesën e vet. Pretendimet janë ngritur, provat janë paraqitur dhe tani është detyra e SPAK që të shohë provat dhe të vazhdojë procesin më tej. Mendoj se pretendimet tashmë janë ngritur, provat janë dërguar në SPAK dhe tani është në dorën e SPAK. Nuk mendoj se është me vend që të komentoj unë.
Një nga kushtet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë në BE është problemi i funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.
E pyetur se pse ky kusht për Shqipërinë kur Gjykata Kushtetuese është nën mbikëqyrjen, ndihmën apo drejtimin e komunitetit ndërkombëtar, ajo jep këtë përgjigje.
Kim: Mendoj se duhet të pyesni BE-në për pozicionin e tyre por ajo që do them është se Gjykata Kushtetuese është absolutisht e nevojshme. Është pjesë thelbësore e reformës në drejtësi. Ka qenë e ngecur për një kohë shumë të gjatë, përparimi ka qenë i vështirë. Por shihni ç’ka ndodhur në javët e fundit. Në javët e fundit, si presidenti, si parlamenti kanë botuar listën e kandidatëve. Këta kandidatë tani po vlerësohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe pasi të ketë përfunduar kjo, kam të gjitha pritshmëritë që do të kemi një Gjykatë Kushtetuese deri në fund të vitit.
Dhe e them këtë sepse siç thatë edhe ju, katër vjet e katër muaj janë një kohë shumë e gjatë. Është koha për të ecur përpara, për të prodhuar rezultate. Mendoj se kjo do të jetë një proces i vazhdueshëm. Reforma në Drejtësi, ashtu si vetë demokracia, është një projekt që kërkon vigjilencë, vëmendje, angazhim të përhershëm; nuk është diçka që ndodh automatikisht. Nuk është diçka sikur zgjohesh një mëngjes dhe thua: mbaruam. Nuk funksionon ashtu. Gjithsesi, mendoj se do të vijë një moment kur shumica e shqiptarëve do të jenë dakord se kanë një sistem gjyqësor që është transparent, që është i ndershëm dhe funksionon sipas sundimit të ligjit dhe atëherë do mund të themi ‘fituam.’
Ndërsa zgjedhjet janë para, diplomatja amerikane parasheh një stinë të ashpër politike, por shton se populli shqiptar dhe qeveria duhet të jenë garantë për zgjedhjet.
Po ashtu Yuri Kim ka dhe nga një këshillë për Metën, Ramën dhe Bashën përpara zgjedhjeve të 25 prillit.
Çfarë këshille keni për Kryeministrin Rama, cilat do të ishte këshilla?
Kim: Nuk jam eksperte e zgjedhjeve, por ODIHR është ekspert dhe ata kanë paraqitur disa rekomandime shumë të qarta se çfarë duhet bërë për zgjedhjet në Shqipëri. Po e lë me kaq.
Këshilla juaj për Lulzim Bashën?
Kim: E njëjta gjë, përsëri, nuk kam detyrë për të dhënë këshilla, por mendoj se është e rëndësishme për të gjithë udhëheqësit politikë që të jenë transparentë dhe të ndershëm me votuesit, të qëndrojnë të angazhuar në proces, të mos largohen dhe të mbajnë premtimet që iu japin njerëzve.
Një këshillë për Presidentin Meta?
Kim: E njëjta gjë. Mendoj se ka një rol shumë unik dhe shumë të rëndësishëm që presidenti mund të luajë si bashkues i vendit. Dhe kur e luajti atë rol në fillimet e pandemisë Covid19 dhe thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke bërë bashkë jo vetëm Kryeministrin por edhe udhëheqësin kryesor të opozitës, mendova se ishte një shembull vërtet i fuqishëm dhe pozitiv. Dhe shpresoj që kjo është diçka që do ta përsërisë. E di që ky është një rol që do ta vlerësonte populli shqiptar. Di që është një rol që Uashingtoni sigurisht e vlerëson ndaj pres me kënaqësi ta shoh të luajë një rol shumë pozitiv.
Deklaratat diplomatja amerikane i bëri në një intervistë ekskluzive për emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu.