Landfill-i u merr tokat pa shpërblim pronarëve: Na "grabitën" me dhunë
Prej vitit 2017, landfilli i Tiranës menaxhohet nga kompania Integrated Energy.BV.SPV.
Sipas konrtratës koncesionare, kompania përveç menaxhimit të landfillit, do të investojë edhe për ndërtimin e inceneratorit.
Vlera që shteti shqiptar do ti japë kompanisë që administrohet nga Arjola Kodra dhe Giuseppe Ciaffaglione është 17.1 miliard lekë.
Ky subjekt është themeluar në 30 gusht ndërsa është regjisruar në QKR vetëm një ditë më pas, në 31 gusht 2017 është nënshkruar kontrata me një kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Por me nisjen e aktivitetit mbi landfillin, ka nisur edhe rrethimi i tokave. Për këto sipërfaqe më parë ishte bërë dhe ndarja për pronarët.
Pas muajsh të tërë interesimi, sa të zyrat e shtetit dhe sa te zyrat e landfillit mbi të drejtën e pronësisë apo shpronësimit, banorët i janë drejtuar televizionit Ora News për të qarë hallin e tyre, e ndoshta për të marrë një zgjidhje.
Prej dy ditësh ata protestojnë para landfillit.
Banorët, edhe pse autoktonë, përveçse shohin pronat e veta të zaptuara, dëshmojnë se janë dhunar dhe nuk kanë marrë asnjë lek kompensim.
"Jam pronar i tokës 6000 metra sipas ligjit 7501, banor autokton. Kam që në 2017 që kërkoj në bashki dhe asnjë përfillje".
"Më kanë kanë marrë 7 dynym. Kemi një vit e ca me këtë punë."
"Firma na ka vënë gardhin me forcë."
"Kam 6 dynym atje poshtë, nuk kanë pyetur. Kur dilnin çunat i çonin në rajon, 30 ditë në rajon, hyr në darkë dhe dil në mëngjes."
"Kam 45 dynim, kam letra, për një firmë sorollatemi. Asnjë lek nuk na kanë dhënë. Nuk na kanë pyetur, i vunë gardhin."
Kjo zënie e pronave të veta nga kompania Integrated Energy. BV.SPV i ka lënë banorët edhe pa ujë të pijshëm pasi në tokat që kompania ka marrë për të zgjeruar hapësirat e landfillit sipas tyre kanë qenë puset me ujë që i përdornin për të pirë dhe vaditur të mbjellat e tyre.
"Kam pasur 50 rrënjë pemë, i shkullën. Pusin e mbyllën."
"Dy burime që merrnim ujë i kanë mbyllur, tani na vjen uji me bot."
Duke qenë se për të disatën ditë banorët kërkojnë një sqarim nga kompania dhe marrin vetëm një përgjigje që duhet komunikuar me email ata shprehën të vendosur për të përshkallëzuar protestën e tyre ndaj asaj që e quajnë zaptim prone me forcë.