Shtëpia e torturave, godina e Begejve kthehet në Muze, shfaq krimet e komunizmit

Dikur njihej si shtëpia e luleve, ndërsa gjatë periudhës së komunizmit  shtëpia e familjes Begeja u përdor si hetuesi. Sipas dëshmive ajo është përdorur për tortura ndaj kundërshtarëve të regjimit. Kështu  shoqata Tirana dhe Autoriteti i Dosjeve firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit për të publikuar atë se çfarë ka ndodhur në këtë banesë, por jo vetëm, gjatë viteve të komunizmit. 

Thuajse në gjendje të degraduar, çdo metër katror i kësaj shtëpie përveç trashëgimisë kulturore mbart edhe proceset hetimore të kohës së komunizmit.

E rrëfyer nga pronari i shtëpisë, në çdo dhomë të saj janë kryer tortura për ata që kundërshtonin  sistemin e asaj kohe.

Në njërën prej dhomave, Shoqata e Tiranës dhe Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi për të hedhur dritë mbi historitë e familjeve tiranase, por edhe për atë se për çfarë janë përdorur këto banesa.

"Ne do të hyjmë deri më derë, shtëpi më shtëpi për të marrë dëshmitë e të mbijetuarve por edhe pse jo trashëgimtarët e atyre që kanë vuajtur në këtë ndërtesë dhe disa ndërtesa të tjera."

"Synimi jonë dhe i juaj është që kjo narrativë të zërë vend qoftë në Muzeun e ardhshëm të qytetit, por ne të bëjmë punën narrative.

Historia e shtëpisë së vjetër tiranase tregohet edhe nga pronari i saj. Sipas tij, pasi u përdor si hetuesi, në të banuan policët e asaj kohe.

"Pak pjesëtarë të familjes qëndruan këtu, në shtëpitë e mëdha u vendosën familjet e tjera. Shtëpia u kthye në kuesturë policie dhe për 5 vjet në këtë shtëpi janë bërë masakrime dhe persekutime të të gjithë të burgosurve politikë."

Marrëveshja do të pasojë me një ekspozitë për historitë e asaj shtëpie. Ndërkohë që për  100 vjetorin e Tiranës kryeqytet synohet prej Autoritetit të Dosjeve dhe Shoqatës Tirana të bëhen publike dhe histori të tjera në shtëpi të tjera të vjetra të Tiranës.