Shtatë ditë rrugë për të mbërritur në Tiranë, refugjatët sirianë për Ora News: Familjet në Siri, po kërkojmë autobus

Emigrantët e parregullt të cilët mbërrijnë nga Greqia në Shqipëri gjenden shpesh në çdo rrugë të vendit duke lëvizur në kërkim të alternativave për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së. Nga ana tjetër vijojnë përpjekjet e trafikantëve për të përfituar ekonomikisht nga kjo situatë, duke i transportuar klandestinët kundrejt pagesës drejt vendeve fqinje me destinacion BE-në. Prania e madhe e shtetasve të huaj që hyjnë ilegalisht në vend u ngrit me shqetësim dhe në Parlament nga ana e deputetëve të opozitës.

Qendra e pritjes dhe strehimit të azilantëve në Babrru është thuajse e boshatisur, në kohën kur shtetasit e huaj që hyjnë ilegalisht në Shqipëri për të kaluar më pas në vendet e BE-së shikohen gjithnjë e më shumë në çdo rrugë nacionale dhe në qytete.

Këta 4 të rinj janë nga Siria, si shumë klandestinë nga vendet e Lindjes, kanë mbërritur nga Greqia dhe kërkojnë të kalojnë kufirin drejt Kosovës.

Atyre u janë dashur 7 ditë për të mbërritur në Tiranë, ndërsa kërkojnë për ndonjë mjet për të udhëtuar drejt Kosovës.

"Kemi ardhur nga Turqia në Greqi, pastaj kemi ecur për 7 ditë me radhë. Kërkojmë të shkojmë në Kosovë, pastaj në Serbi dhe duam të shkojmë në Gjermani. Po kërkojmë për autobus për të ikur, familjet i kemi lënë në Siri".

Ndryshe nga të huajt e tjerë të rinjtë nga Siria thonë që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar transportin deri në kufi.

Të enjtem policia goditi tri raste në Korçë e Gjirokastër të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit për shtetasit e huaj.

Në dy operacionet e policisë u arrestuan 6 persona teksa janë pikasur duke transportuar 15 shtetas të huaj të ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme.

Ajo që vihet re është arrestimi i dy kosovarëve Lirim Osmanaj dhe Fillim Sinanaj në Korçë, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për të transportuar klandestinë.

Çështja e emigrantëve të parregullt në vend u ngrit dhe në Parlament nga deputeti Halit Valteri, i cili i kërkoi qeverisë të ndërhyjë pasi në shumë raste janë kthyer në shqetësim për banorët në disa prej zonave urbane.

Valteri: Ka mjaft qytetarë që po adresohen te ne, emigrantët e vendeve të lindjes janë bërë problem rrugëve të qyteteve, bëhen pjesë e grabitjeve, por edhe objekt trafikimi nga grupe të ndryshme, edhe pjesë e bandave në vendin tonë. Ministria e Brendshme të bëjë dicka për këta njerëz, ose ti mbledhë në një kamp, ose t’u mundësojë ushqim dhe veshmbathje, por nuk duhet ta lëmë në heshtje sikur po rri kjo çështje. Shtëpitë tona po rrezikohen nga këto grupe dhe jetët tona nuk janë të qetë sikur ishin para se të vinin në vendin tonë.

Vitin e shkuar, nga janari deri në shtator, janë kapur rreth 6 mijë emigrantë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti janë ndaluar rreth 9 mijë klandestinë.