Loja e Ramës me aeroportet

Kryeministri Edi Rama do të deklaronte gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, e mbajtur më 9 tetor se, brenda mandatit të tretë Shqipëria do të ketë 4 aeroporte.

Përveç aeroportit të Rinasit, Rama premtoi që për mandatin 4 vjeçar të ndërtojë aeroportin në Kukës, Vlorë dhe Sarandë.

Por teksa premtimi i bujshëm përsëritet nuk mungojnë as reagimet qytetare.

Përpos postimeve dhe memeve të shumta në rrjetet sociale, së fundmi është karikaturisti Bujar Kapexhiu, i cili ka mënyrën e tij origjinale për të komentuar premtimin e kryeministrit.

Ai ka publikuar një karikaturë, e cila po bën edhe xhiron e rrjetit.

Një prej komentuesve të saj është edhe mjeshtri I memeve në Facebook, Genc Sejko, i cili e titullon “Loja e Ramës me aeroportet”.

Postimi i plotë:

Loja e Ramës me aeroportet

Viti 2019 është viti më i mirë në histori për Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza. Në këtë vit rekord, ky aeroport ka menaxhuar 2354 fluturime në muaj, ose 78 fluturime në ditë. Në daljet e tija të shpeshta elektorale, kryeministri ka premtuar ndërtimin e tre aeroporteve të rinj në: Kukës, Vlorë dhe Sarandë.

Nëse Rama e mban fjalën dhe i ndërton tre aeroportet e premtuara atëherë do kemi 19 fluturime nga çdo aeroport. Shifër që do çonte në falimentimin e të katërtve.

Por nëse marrim parasysh shpërndarjen demografike të popullsisë në Shqipëri dhe kontratat që kanë kompanitë ajrore me TIA me shumë gjasa një shpërndarje e tillë nuk do jetë e mundur.

Aeroportet ne Kukës, Vlorë e Sarandë nuk mund të kenë kurrë të njëjtin numër fluturimesh me Tiranën. Sepse edhe ata 120 kuksianët që do sjelli Rama për të votuar PD-në, me shumë gjasa i kanë shtëpitë e tyre në Tiranë ose Durrës.

Për të mos u zgjatur. Shqipëria nuk ka nevojë për aeroporte sepse numri i fluturimeve nuk justifikon ndërtimin e tyre. Përveç se nëse i ndërtojmë me lekët e buxhetit, ja japim privatit dhe subvensjonojmë humbjet me lekët e taksapaguesve.

PS Numri i fluturimeve në 2020 është shumë më i ulët krahasuar me 2019. Përdorëm shifrat e 2019 si rast ideal.