Shuhen shpresat për armëpushim mes Armenisë dhe Azerbajxhanit
Në vigjilje të takimit të thirrur në Uashington të ministrave të Jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit, luftimet në enklavën e Nagorno Karabakut u shtuan. Kryeministri armen Nikol Pashinyan u shpreh pesimist për një zgjidhje diplomatike, ndërsa Azerbajxhani druhet se lufta do të dëmtojë tubacionet e gazit.
Shpresat për zbatimin e armëpushimit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit u shuan të enjten pasi palët i vazhduan edhe më fort luftimet në enklavën e Nagorno Karabakut. Luftimet shtohen në prag të bisedimeve të Uashingtonit, që sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka thirrur të premten me ministrat e Jashtëm të të dy vendeve.
Ftesa e sekretarit Pompeo për dy ministrat ngriti shpresa për përfundimin e gjakderdhjes thuajse njëmujore në Nagorno Karabak midis dy ish-republikave sovjetike.
Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan u shpreh pesimist të mërkurën për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit që zgjat prej dekadash. Ndërsa presidenti azer Ilham Alyev, u zotua se do ta rimarrë me forcë kontrollin e Nagorno-Karabakhut.
Deri më tani me qindra vetë janë vrarë nga luftimet që filluan më 27 shtator dhe në bashkësinë ndërkombëtare ekziston frika se Turqia dhe Rusia mund të përfshihen drejtpërdrejt në konflikt. Kësaj i shtohet edhe frika e Azerbajxhanit se lufta mund të prekë edhe tubacionet e gazit që transportojnë gazin dhe naftën azere nëpër Kaukazin e Jugut dhe tregjet botërore.
Rusia ka ndërmjetësuar dy armëpushime deri më tani, por asnjë prej tyre nuk është zbatuar. Të enjten, ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se luftimet u zhvilluan pranë vijës së kontaktit. Raportohet se Armenia ka qëlluar raketa balistike në brendësi të territorit azer, ndonëse një gjë e tillë mohohet.
Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se luftimet u zhvilluan në disa rajone dhe zyrtarë të Nagorno-Karabakhut thanë se disa fshatra të enklavës janë bombarduar.