Mediu takim me të rinjtë: 25 prilli datë e rëndësishme për vendin

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zhvilloi një takim me të rinjtë nga të cilët kërkoi që të angazhohen për një Shqipëri më të mirë. Vota e 25 prillit është e rëndësishme tha ai për të shpëtuar vendin nga krimi në të cilën e ka zhytur qeveria.

Në takimin që zhvilloi të mërkurën me të rinjtë, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkoi që vota e 25 prillit të shkojë për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt.

Të rinjtë tha Mediu nuk duhet ta lënë vendin të mposhtet nga krimi.

"Luftojmë për një qeveri që të punojë për njerëzit kundrejt qeverisjes së korruptuar dhe totalitare që po na largon qëllimisht nga vendi ynë. Luftojmë për mirëqenien, ndërtimin e lumturisë që na ka falur Zoti, kundër varfërisë që na ka sjellë Rama. Luftojmë për dashurinë ndaj Zotit dhe njëri-tjetrin, për familjet tona, për Shqipërinë, sepse këto janë të shenjta, janë qëllimi i jetës tonë.

Luftojmë kundër urrejtjes, sepse vlerat evropiane janë dashuria dhe besimi. Do votojmë se duam shtetin dhe policinë që është kundër krimit dhe mbrojnë qytetarin, e jo shtetin me policinë në krah të tij, që mbron krimin dhe dhunon qytetarin. Votojmë dhe luftojmë se kemi besim që me punë mund të ndërtojmë vendin tonë, të cilin Zoti e ka bekuar me çdo gjë. Luftojmë që mundi i prindërve tanë të mos shkojë kot. Votojmë që fëmijët tanë të ndërtojnë jetën dhe lumturinë në Shqipëri”.

Gjatë takimit Mediu akuzoi qeverinë se nuk ka punuar për të krijuar mundësi për të rinjtë, ndaj këta të fundit janë detyruar të braktisin vendin.