Regjistër për autorët e krimeve seksuale, nisma nga 27 organizata, nevojiten 20 mijë firma
Prej disa ditësh 27 organizata në gjithë vendin kanë nisur mbledhjen e firmave për krijimin e regjistrit kombëtar të autorëve të krimeve seksuale. Regjistri, në të cilin do të kenë akses qytetarë e institucione, do të ndihmojë komunitetin në identifikimin e abuzuesve.
"Keni një minutë kohë për një peticion?"
Këtë pyetje Anxhela ia drejton çdo kalimtari në pedonalen e kryeqytetit.
Ajo është vullnetare në nismën e ndërmarrë nga 27 organizata për “Krijimin e regjistrit kombëtar të autorëve të krimeve seksuale”.
"Fatmirësisht mund të themi se interesi ka qenë i madh."
Iris Luarasi, drejtuese e “Linjës së Këshillimit për gra e vajza” thotë se krijimi i regjistrit nuk zgjidh gjithë fenomenin por ndihmon komunitetin të jetë më i kujdesshëm.
"Çdo autor i krimeve seksuale do e ketë për detyrë që të lajmërojë për adresën e re ku do të shkojë. E ka për detyrë polici në komunitet. Në çdo institucion ku ka fëmijë, do të jetë një regjistër që do të ndihmojë."
Raportimet për krimet seksuale janë më të pakta se ato për dhunën në familje, ndaj Luarasi ka këtë thirrje për gratë dhe vajzat:
"Nuk është turp të jesh viktimë e dhunës seksuale, është turp për atë që e ka kryer."
Që nisma të depozitohet në Kuvend duhen 20 mijë firma, afati për mbledhjen e të cilave është data 30 tetor.
