Rëndohet bilanci i aksidenteve/ Në shtator humbën jetën 24 qytetarë, ekspertët kërkojnë masa për biçikletat e mjetet elektrike

Bilanci i aksidenteve është rënduar gjatë muajve të verës dhe shtatorit teksa shifrat flasin për rritje të viktimave dhe përplasjes së mjeteve. Vetëm në shtator humbën jetën 24 qytetarë, ndërsa ekspertët shprehen se aksidentet rrugore më së shumti ndodhin nga agresiviteti i drejtuesve të mjeteve. Së fundmi janë shtuar dhe aksidentet ku të përfshirë janë qytetarët që lëvizin me biçikleta apo me mjete elektrike.

Ndonëse viti 2020 është konsideruar si viti i sigurisë rrugore, shifrat flasin për rritje të numrit të qytetarëve që humbin jetën si pasojë e përplasjeve.

24 qytetarë humbën jetën si pasojë e përplasjes së mjeteve gjatë muajit shtator, shifra të cilat tregojnë rritje me shtatorin e vitit 2019.

Sipas të dhënave zyrtare, muajin e kaluar pati dhe rritje të numrit të aksidenteve nga 122 që ishin vitin e kaluar në 138 për këtë vit.

Rreth 90 % e aksidenteve regjistrohen si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, ndërsa pjesa tjetër si pasojë e sjelljes së këmbësorëve.

Eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasho, thotë se agresiviteti i drejtuesve të mjeteve lidhet me disa faktorë, siç është trafiku i rënduar, apo mungesa e vendeve të parkingut, një fenomen i gjerë në kryeqytet.

Fatmir Hasho: Me korsitë e reja të biçikletave është rritur shumë vështirësia e parkimit. Rritja e qarkullimit brenda Tiranës ndikon direkt në këtë pjesë dhe mendoj se nga ana e Bashkisë ndoshta duhet të rritet pak përgjegjshmëria.

Gjatë periudhës së verës por dhe të shtatorit, është vënë re një rritje e aksidenteve ku përfshihen biçikletat dhe qytetarët që përdorin mjete elektrike.

Ndaj sipas ekspertit Hasho, duhet një kontroll nga instancat deri tek pajisja e tyre me leje drejtimi.

Fatmir Hasho: Mjetet me motor me bateri po hyjnë në një formë shumë të shpejtë dhe a janë kontrolluar ndonjëherë nëse kanë leje drejtimi apo jo? Këto mjete duhet të kenë leje drejtimi, pavarësisht moshës të atyre që e përdorin.

Përgjatë 9 mujorit, sipas të dhënave zyrtare, vërehet një ulje në total të aksidenteve, por pavarësisht kësaj drejtuesit më të lartë të policisë dhe drejtorive të rretheve u thirrën këtë të martë në Ministrinë e Brendshme për të raportuar për situatën.