Publikoi foton e Profetit Muhamed, Kim Mehmeti "i përvishet" ambasadorit kosovar: Nuk janë të denjë për të përfaqësuar një kopsht zoologjik e jo më një shtet!
Publicisti Kim Mehmeti ka bërë një reagim kundër ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.
Ky i fundit publikoi një foto të Profetit Muhamed pas vrasjes me thikë të mësuesit të historisë në Paris.
Mehmeti ka deklaruar se ambasadorë të tillë nuk janë të denjë për të përfaqësuar një shtet, teksa e cilëson si mostër të papërgjegjshme.
"Monstra të atilla, të papërgjegjshme e të padenja për ta përfaqësuar as familje e vet, pra diplomat që nuk e kanë kuptuar se atje ku je e përfaqëson popullin dhe shtetin tënd, e jo vendin nikoqir, nuk janë të denjë për ta përfaqësuar një kopsht zoologjik, e jo më një popull e një shtet", shkruan Mehmeti.
Publicisti nga Shkupi e ka vijuar postimin me tone të ashpra, duke shtuar se "mbase ka ardhur koha kur duhet ta pranojmë se asnjë forcë antishqiptare nuk na përçau e nuk na talli e përbuzi aq sa disa qarqe shqiptare që u jargaviten të tjerëve, por duke shkelur mbi çdo gjë tonën".
Më herët edhe Kryesia e Bashkësisë Islame në Kosovë i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, që të distancohet nga veprimi i ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili ka shpërndarë në rrjetin social, Twitter, postimin e një gazetareje të së përditshmes franceze, Le Figaro, në të cilën shihet karikatura e Profetit Muhamed.