Zgjerohet përhapja e koronavirusit: 38 raste të reja në Durrës, në Elbasan mbyllet gjykata
Institicionet arsimore dhe zyrat e shtetit janë kthyer në vatra të përhapjes së koronavirusit në disa bashki të vendit, ku në ditët e fundit po shënohet rritje e rasteve. Në Elbasan, covid 19 u fut edhe në Gjykatë, duke detyruar pezullimin e punës.
Durres- Prej ditësh vihet re një shtim i rasteve të të infektuarve me Covid-19, ku në qytetin e Durrësit vetëm sot raportohen 38 persona pozitivë.
Sipas informacioneve të para, të infektuar ka rezultuar punonjës institucionesh, por edhe nxënës të shkollave. Gjithashtu dy nxënës nga Durrësi, por që ndjekin mësimin në Shkollën Bujqësore në Golem, kanë dalë pozitivë.
Elbasan- Sakaq është mbyllur edhe Gjykata e Elbasanit pasi ditën e djeshme kanë rezultuar me Covid 4 punonjëse, teksa tre gjyqtarë janë karantinuar. Seancat gjyqësore janë shtyrë.
Qytetarët nuk janë lejuar të hyjnë brenda ambienteve, ndërkohë që nuk kanë qenë të informuar për vendimin.
Gjirokaster- Gjithashtu edhe në qytetin e Gjirokastrës në shkollën “Urani Rumbo” një mësuese ka rezultuar me Covid-19, si dhe në shkollën private “Xhuzepe Gras” një nxënëse. Janë marrë tamponët për të gjithë stafet e shkollave përkatëse.
Berat- Në qytet është konfirmuar i prekur një mjek në repartin e Radiologjisë të spitalit të qytetit, ndërsa u është marrë tampon të gjithë personelit.
LEXO EDHE: Frikë në Elbasan/ 7 mësues dhe 2 policë pozitivë me Covid-19 në 24 orët e fundit