Mbroni fëmijët! CRCA:Të miturit të ekspozuar ndaj abuzimit seksual

Një raport i përvitshëm që tregon për nivelin e mbrojtjes që ofrojnë autoritetet për fëmijët vlerëson se të miturit në Shqipëri vijojnë të mbeten mjaft të ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, ku më kryesoret janë fenomenet negative të abuzimit apo shfrytëzimit seksual si dhe trafikimi.

Gjetjet e organizatave ECPAT dhe CRCA vënë në pah se vendi ynë ka marrë vetëm 49.8 pikë nga 100 të mundshme në një metodologji të posaçme vlerësimi.

Sipas përfaqësuesit të CRCA, Altin Hazizaj,  kjo bën që Shqipëria të jetë ndër vendet me rekordin më të dobët.

Megjithëse në Shqipëri nuk ka ende asnjë rast të të ashtuquajturit turizëm seksual me fëmijët, Hazizaj apelon institucionet të marrin masat e nevojshme për parandalimin e këtij fenomeni.

Raporti "Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime seksuale" bazohet në renditjen e vendeve në indeksin global të shfrytëzimit  të fëmijëve, ku vendi ynë pozicionet mes shteteve si Xhamajka dhe Mongolia.