Lufta në Nagorno-Karabakh rrezikon gazsjellësit, paralajmërohet krizë humanitare
Armëpushimi humanitar i ndërmjetësuar nga Rusia midis Armenisë dhe Azerbajxhanit është thyer. Tani ekziston frika se konflikti i armatosur mund të dëmtojë gazsjellësit azerë që dërgojnë lëndë djegëse nga Kaspiku në Europë. Ndërsa luftimet vazhdojnë, në rajon rrezikon të përshkallëzohet një krizë humanitare.
Lufta midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ka arritur në prag të prekjes së pikës nevralgjike, tubacionet azere të gazit që dërgojnë lëndë djegëse nga rajoni i Kaspikut në Europë.
Azerbajxhani i bëri thirrje Armenisë që të mos prekë asnjë tubacion të saj, në të kundërt paralajmëroi pasoja të rënda. Presidenti azer Ilham Aliyev tha të mërkurën se Armenia po përpiqej të sulmonte dhe të merrte në kontroll një gazsjellës të Azerbajxhanit.
“Nëse Armenia guxon të marrë kontrollin e gazsjellësit, e them këtu se pasojat do të jenë të rënda,” tha Aliyev për televizionin Haberturk.
Rusia ndërkaq, si ndërmjetësuese e armëpushimit, ju bëri thirrje palëve të ndalojnë menjëherë luftimet.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, ju telefonoi homologëve të Armenisë dhe të Azerbajxhanit dhe ju kërkoi që të zbatojnë të gjitha zotimet e bëra nën marrëveshjen e armëpushimit humanitar të ndërmjetësuar të shtunën e kaluar nga Moska.
Por luftimet po vazhdojnë dhe palët akuzojnë njëra tjetrën për thyerjen e armëpushimit. Ministria e Mbrojtjes e Nagorno-Karabakh-ut akuzoi Azerbajxhanin për sulmin me artileri të rëndë dhe raketa në disa zona.
Zyrtarë të mbrojtjes së enklavës njoftuan se forcat e tyre kishin qëlluar një avion azer Su-25 fighter, këtë pretendim Azerbajxhani e mohoi.
Në krahun tjetër Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit akuzoi forcat armene për sulme të reja dhe shkaktimin e disa vdekjeve dhe plagosjeve në radhët e civilëve, përfshirë edhe gazetarë azerë.
Që kur konflikti shpërtheu më 27 shtator, nga lufta janë vrarë mbi 500 vetë.
Në rajonin e prekur nga lufta tani rrezikon të shpërthejë një krizë humanitare, pasi njerëzit janë të detyruar të lënë shtëpitë në një kohë që pandemia e COVID-19 po përparon.