Thaçi: Njohja reciproke, e para
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të shtrohen për diskutim çështjet e mëdha, siç është njohja reciproke.
Komentet e kryeshtetarit kosovar erdhën pas takimit me emisarin e posaçëm të Brukselit për dialogun dypalësh, Miroslav Lajçak.
Bisedimet teknike mes palëve nisën në 2011-n dhe Thaçi mendon se ato nuk po i avancojnë interesat e shtetit, prandaj njohja duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes.
"Dua të besoj se vetëm njohja reciproke me standardet e përcaktuara në kornizën e marrëveshjes eventuale që mund të arrihet mund të jetë mundësi e mirë dhe e vetmja..."
Presidenti Thaçi tha se për çështjen e dialogut ka diskutuar ditë më parë me Lajçakun në Bruksel, gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara dhe në takimet joformale në Francë.
Ai tha se ka një koordinim për zgjidhjen e çështjes mes aktorëve të jashtëm, e ky bashkërendim duhet gjetur edhe brenda vendit.
Diplomati Lajçak nuk u shpreh për mediet por informoi pas takimit me presidentin Thaçi nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse Prishtinë-Beograd.
Zyrtari europian mbërriti në kryeqytetin e Kosovës një ditë më parë për konsultime me shtetarët kryesorë të vendit, me kryeministrin Avdullah Hoti, por edhe opozitarët Albin Kurti e Kadri Veseli.
Brukseli dhe Beogradi kanë vënë re një stepje të palës kosovare në dialogun dypalësh për sa i përket çështjes së formimit të një njësie vendore e cila sipas pakteve të mëparshme, do kishte fuqinë të kontrollonte zhvillimin ekonomik, arsimor e urban të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri Hoti thotë se Kosova nuk e pranon asociacionin pa fituar njohjen reciproke.
Palët ndërkaq vazhdojnë të përparojnë në aspektin ekonomik sipas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, duke marrë të martën edhe përgëzimin për bashkëpunimin e ri nga Departamenti amerikan i Shetit.