Maska me detyrim, Ja rastet kur gjobitesh në Maqedoninë e Veriut

Nesër në Shqipëri aplikohet maska e detyrueshme. Por çfarë ndodh në Maqedoninë e Veriut?

Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, Shaban Mehmeti ishte i ftuar në emisionin  "Ditë e Re" në RTV Ora News, ku u pyet për situatën e koronavirusit dhe masat e reja për mbajtjen e detyrueshme të maskës dhe në ambientet e hapura.

Mehmeti theksoi se mbajtja e maskës në ambientet e hapura po aplikohet prej një muaji në Maqedoninë e Veriut dhe se inspektorët po ndjekin në terren sesa respektohen kjo masë.

"Mbajtja e maskës ka dhe specifikën e vetë. Nuk mund të mbash maskën nëse je i vetëm në qytet, nëse shëtit vetëm, nëse nuk ke pasur ndonjë kontakt me ndonjë rast pozitiv dhe nuk je në grupet e njerëzve. Gjobitesh nëse je në një grup njerëzish dhe nuk mban maskë. Ne kemi sjellë një rekomandim që njerëzit të  grumbullohen në grupe jo me shumë se  4-5 vetë".

 I pyetur se a u respektua kjo masë nga qytetarët, Drejtori i Institutit të Shëndetësisë shprehet se pjesërisht është respektuar dhe se ka pasur edhe gjobitje. Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me institucionet e tjera që merren me COVID-19 kanë sjellë një rekomandim lidhur me mbajtjen e maskës në ambientet të mbyllura si restorante dhe bar-kafe të cilat kanë standarde të tjera.

"Ide është që ne po jetojmë me virusin  dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve është mbi të gjitha, pavarësisht nëse autoritetet shëndetësore ose jo  do të bëjnë presion  se cili do të ishte efekti. Kujdesi është për të gjithë, pasi edhe ai që e ka kaluar koronavirusin e di këtë situatë  dhe se sjelljet e njerëzve duhet të jenë të kujdesshme pa përjashtim",- përfundoi Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.