Këtë muaj pritet të konfirmohet ose rrëzohet aktakuza ndaj Thaçit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar drejtësi, jo spektakël nga Gjykata Speciale që po heton krimet e shqiptarëve në luftën me Serbinë.

Disa prej veteranëve të UÇK-së u arrestuan me bujë muajin e kaluar, me zyrat e bastisura për disa orë nga efektivët e mision europian, EULEX.

Në tribunalin ndërkombëtar të Hagës u paraqitën Salih Mustafa, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat nga vrasjet e torturimet te zotërimi e publikimi i dokumenteve konfidenciale.

Thaçi ftoi trupën gjykuese t'i vlerësojnë të gjitha rastet me profesionalizëm.

"Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakolare."

Këtë muaj, kreu i shtetit pret konfirmimin ose rrëzimin e aktakuzës ndaj vetë atij, bashkëluftëtarit të UÇK-së, Kadri Veseli, dhe dhjetëra të tjerëve të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë.

Thaçi thotë se lëvizja e tyre kishte për bazë lirinë dhe pavarësinë e vendit.

"Asnjë grackë e ngritur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë. E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës u përballën me gjenocid dhe spastrim etnik."

Gjykata e Kosovës është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Ajo u themelua pas raportit të Këshillit të Evropës, në të cilin pretendohej se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin kryer krime ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.