Durrës: Shtatë zyrtarë në pranga për karburantin "vrasës" tek Plepat

Shtatë zyrtarë dhe ish-punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar u arrestuan ( mëngjesin e së mërkurës) me akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me  ndërtimin e një karburanti në aksion rrugor të “Plepave” në Durrës ku kanë miratuar leje për hyrje-daljen e automjeteve në një karburant në aksin kryesor, duke u bërë shkak për aksidente.

Prokuroria e Durrësit njoftoi se për këtë rast janë kryer hetime ndaj të dyshuarve Agron Hasa, Kastriot Braha, Aferdita Basha e Dhurata Lazaj si specialiste inxhiniere të ARSH, dhe Spartak Tarkaj, Astrit Zenelaj,  Leke Tushaj  me cilësinë e drejtorëve të drejtorive të ARSh-së, anëtarë të Këshillit Teknik, të cilët kanë konsumuar elemente të figurës së veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, dhe dhënia e ndihmës për ndërtimin e paligjshëm”, kryer në bashkëpunim.

Arrestimi i të dyshuarve është bërë mëngjesin e së mërkurës pasi gjykata ka pranuar kërkesat e prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar të cilët fajësohen për shkaktimin e një dëmi prej 20 milionë lekë të reja në buxhetin e shtetit.

Në vazhdim të hetimeve policia ka bërë shpalljen në kërkim të biznesmenit Mustafa Koka, i cili ka përfituar 20 milionë lekë shpronësim për sipërfaqen e karburantit e cila prekej nga plani për zgjerimin e gjurmës së rrugës Durrës-Kavajë në zonën e plepave.

Prokuroria tha se hetimi ka nisur pas një sërë aksidentesh automobilistike që kanë ndodhur në rrugën nacionale Plepa Kavajë dhe konkretisht në kilometrin e tretë, ku ndodhet pika e  furnizimit me karburant, që dyshohet se është ndërtuar dhe ka marë leje në kundërshtim me ligjin duke krijuar më pas heqjen e barrierave anësore të rrugës me qëllim hyrje-daljen e automjeteve për furnizim me lëndë djegëse.