Grevë, protestë e negociata/Naftëtarët thirren në takim pasi shqyen derën dhe u futen me forcë në uzinë

Në ditën e 17-ë të grevës së urisë, naftëtarët e Ballshit janë ftuar për negociata nga përfaqësues të kompanisë private që ka marrë përsipër të rivërë në punë uzinën. Reagimi erdhi pas naftëtarët u futen me forcë në rafinerinë e naftës.

Dita e 17 e grevës së urisë dhe protestave për pagat kulmoi me naftëtarët që morën kontrollin e rafinerisë, ku kërkojnë rinisjen e punës.

Nga zyrat e administratës, thanë se hyrja me forcë ishte për të treguar se aty mungojnë përfaqësuesit e firmës private dhe se ata janë zotër të rafinerisë.

https://youtu.be/uKKoKCm9WsA

"E bëmë këtë veprim për të treguar që të mos dalin më në media dhe të thonë se janë raporte privat-privat, ku është privati? Ja jemi këtu."

Pas përplasjeve me policinë private, naftëtarët vërshuan nëpër repartet e uzinës.

Nga aty denoncuan rrënimin, që sipas tyre, po i bëhet pasurisë kombëtare, siç e quajnë rafinerinë.

"Rafineria ka ndalur për mosfurnizimin me lëndë të parë, e kemi thënë shumë herë."

"Kush ua bëri bilancin këtyre kompanive që dalin me humbje?"

Përshkallëzimi i protestës duket se dha efekt. Ndërsa ende kishin rafinerinë nën kontroll, naftëtarët u thirrën ne negociata nga kompania që synon të rivërë në punë uzinën.

"Vendosni, do të shkojmë 4-5 persona. Unë them ti dëgjojmë çfarë ofrojnë. Siç kemi qëndruar prej një viti në grevë, nëse nuk janë të realizueshme kërkesat tona ne e rrëzojmë takimin."

Deri në përgjigje për kërkesat, naftëtarët thonë se greva e urisë e protestat do të vijojnë.

https://youtu.be/48-hKEeiuTI