Një 19 vjeçar në kërkim për atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiak të Malësisë së Madhe

Një 19 vjeçar është shpallur në kërkim për atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj.

Policia e Shkodrës informoi sot se provat shkencore dhe biologjike kanë çuar drejt identifikimit të 19 vjeçarit Ilirjan Hasanaj si autori i dyshuar për atentatin e ndodhur mesditën e 11 tetorit 2020, në aksin rrugor Shkodër-Koplik. Në atentat mbeti i plagosur rëndë dhe babai i Mentorit ndërsa shpëtoi bashkëshortja e tij.

19 vjeçari është banues në lagjen “Tepe”, Shkodër. Ai rezulton të jetë djali i Arben Hasanajt, ish-polici i Kufirit i cili prej tre vitesh është larguar nga vendi.

"Ky shtetas, më datë 11.10.2020, në orën 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Malësi e Madhe, te rrethrrotullimi i “5 Heronjve”, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur rëndë shtetasit M. H. 39 vjeç banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, me detyre përgjegjës i Policisë Bashkiake Malësi e Madhe dhe shtetasin Xh. H., 74 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, të cilët po udhëtonin nga Shkodra drejt Malësisë së Madhe, me automjetin tip “Skoda”, në pronësi të Bashkisë Malësi e Madhe" informoi sot policia e Shkodrës.

Dëshmia e shefit të policisë bashkiake të Malësisë së Madhe: Atentati nuk ka lidhje me punën

Babai i Mentorit, Xhelal Hasanaj, 70 vjeç, ndodhet në gjëndje kome në spitalin e Shkodrës, ndërkohë 37 vjeçari është sjellë në spitalin e Traumës në Tiranë

Sekuestrohen provat

Sekuestrohet motomjeti i përdorur gjatë kryerjes së krimit. Motori pa targa, u gjet në vendin e quajtur Livadhe. Gjithashtu u gjjet një skafandër dhe sende të tjera që ishin përdorur nga autori i ngjarjes.

Në foto: Livadhe, motomjeti pa targa i gjetur nga shërbimet e Policisë

Si ndodhi atentati
Ata po udhëtonin në aksin rrugor Shkodër-Koplik me makinën zyrtare të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, kur u sulmuan me armë zjarri nga një motor. Nga breshëria e plumbave u goditën Mentor Hasanaj, 37 vjeç dhe babai i tij Xhelal Hasanaj, 70 vjeç, ndërsa Bashkëshortja e policit, Vjollca Hasanaj që po ashtu ndodhej në makinë shpëtoi mrekullisht.

Shkaku?

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ata të Malësisë së Madhe, vijojnë intensivisht punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të DVP Shkodër po vijojnë punën për zbardhjen e shkakut të kësaj ngjarjeje.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja e më shumë se një personi” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

https://youtu.be/zxA5twTH-Zs