Meta thirrje Ramës: Respekto 5 qershorin ose ke një president dhe 3 milionë shqiptare "të shkalluar"

Pasi i ka shkuar Kodi Elektoral me ndryshimet e njëanshme në tryezën e punës, Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar sërish ish-aletatit të tij, Kryeministrit Edi Rama të reflektojë.

Në rast se nuk respekton 5 qershorin, kreu i shtetit e parlajmëron Kryeministrin se me 25 prill do të këtë përballë jo vetëm një një President “të shkalluar”, por edhe tre milionë shqiptarë “të shkalluar” që do shkallmojnë me votë dhe çdo mjet legjitim ëndrrat e tij për të blerë e trembur popullin për një grusht oligarkësh e banditësh.

Meta ka shtuar "bën mirë të reflektojë dhe të respektojë 5 Qershorin se përndryshe në 25 Prill do të ketë jo vetëm një President “të shkalluar”, por edhe tre milionë shqiptarë “të shkalluar” që do shkallmojnë me votë dhe çdo mjet legjitim ëndrrat e tij për të blerë e trembur popullin shqiptar për një grusht oligarkësh e banditësh."

Kreu i Shtetit ka rikujtuar deklaratën e tij në seancën plenare të 28 prillit 2017, menjëherë pas votimit nga Parlamenti si President i Republikës, teksa ka vijuar duke thënë se ai ka mbajtur çdo premtim për mbrojtjen e Kushtetutës.

Por kërkesa e Ilir Metës nuk do të merret parasysh nga lideri i mazhorancës, i cili pas mbledhjes me shtabin elektoral në PS në një prononcim për mediat nënvizoi faktin se nuk do të ketë tërheqje nga e ana e socialistëve.
"5 qershori eshte respektuar. 30 qershori është respektuar. Nuk ka më kohë për të humbur nuk ka më asgjë për të thënë. Presidenti bën mirë ta firmosë ose ta kthejë sa më parë në mënyrë që të vazhdojë sa më parë implementimi. Sepse koha për implementim është e shtrënguar dhe ne do ta votojmë fiks siç e kemi votuar.”

Përplasjet politike, mazhoranca po i përkthen në ligj, me një draft kuadër për Kreun e Shtetit, i cili pritet të jetë gati brenda kësaj jave. Në mbledhjen e grupi, mësohet se Edi Rama ka kërkuar që ligji për Presidentin duhet të jetë gati sa më shpejt, për t’i dhënë fund sipas tij njëherë e mirë mundësisë së Ilir Metës për të mos dekretuar ministrat e kabinetit.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/353764035827725