Identifikohet dhe shpallet në kërkim ekzekutori i Bujar Çelës
Policia ka shpallur në kërkim një person në lidhje me vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, ngjarja e regjistruar më 17 shtator 2020 tek rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan.
Hetimet janë përqendruar tek një person e cili dyshohet se është dhe ekzekutori.
Identifikimi i tij sipas burimeve të policisë është bërë me prova shkencore, ku është faktuar se ka marrë pjesë në ekzekutimin e 62-vjeçarit Çela.
Efektivët e policisë për identifikimin e tij kanë marrë në dispozicion kamerat e sigurisë të zonës por dhe dëshmive të marra pas ngjarje.
Hetuesit janë duke kryer hetime dhe për dy bashkëpunëtorët e tjerë, ndaj ka patur dhjetëra të shoqëruar për tu pyetur për ngjarjen.
Ndonëse nga policia konfirmohet se një person është shpallur në kërkim, nga prokuroria e Elbasanit mësohet se në ditët në vijim pritet të ketë informacione publike për këtë ngjarje.
Deri në këtë fazë të hetimeve dyshimet janë se vrasja është kryer me porosi të Erion Alibejt, të arrestuar më 18 shtator, si porositës i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.
Pista për porositjen edhe të vrasjes së Çelës, nuk është vërtetuar ende, ndaj po punohet dhe në këtë drejtim.
Ekzekutimi mafioz i Bujar Çelës, i cili punonte si taksist, ndodhi rreth orës 05:45 të mëngjesit të 17 shtatorit, teksa 62-vjeçari konsumonte çdo mëngjes kafenë në një lokal pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Ai dyshohet se u vra si mesazh hakmarrjeje për vëllain e tij, Talo Çelën. 62-vjeçari nuk kishte precedent penal dhe punonte taksist pa licencë, ndërsa familjarët e fqinjët u shprehën se nuk kishte konflikt me asnjë person.
Talo Çela është i shpallur në kërkim për “Grabitjen e Rinasit” ku mbeti i vrarë Admir Murataj, si dhe për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje e ndodhur në prill të këtij viti.
Si u arrestua Alibej?
Aktualisht, ndaj Alibejt është dhënë masa e sigurisë arrest me burg për vrasjen e ndodhur në lagjen “28 Nëntori”, ku u vra me armë zjarri shtetasi Emiljano Ramazani dhe vrasjen e ndodhur në afërsi të varrezave të qytetit, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi Regis Runaj.
Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibej 34 vjeç, i cili së bashku me xhaxhanë dhe një shtetas turk, u ekzekutuan në të njëjtin vend ku u ekzekutua 61 vjeçari.