Dita e 11 e grevës, naftëtarët e Ballshit kyçen brenda: Do ndalojmë ujin, dalim vetëm me barela

Mungesa e reagimit nga institucionet shtetërore ka bërë që naftëtarët të përshkallëzojnë formën e grevës së Urisë. Ata janë ngujuar brenda ambienteve të qendrws shendetësore, ku paralajmëruan se do të ndërpresin edhe ujin e pijshëm. Një prej tyre deklaroi se tashmë dalin vetem me barela.

Vendimin drastik thonë se e morën në kushtet e mungesës së përgjigjes nga institicionet e shtetit dhe firma private për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës.

Kreu u Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj ka qartësuar se ky nuk është show, ndërkohë që ka shtuar se gjendja e grevistëve është e rëndë.

"Dita e 11 e grevës, gjendja e kolegëve lart është shumë e rënduar. Të gjithë ata kanë marrë një vendim dhe besoj edhe ju do të na mbështesni deri në ditën e fundit. E zura këtë derë jo sepse duam të bllokojmë ardhjen tuaj lart, por sepse ju duhet të jeni në mbështetjen tonë.

https://youtu.be/MCgQIEAO1lQ


Thonë se prej aty tashmë i nxjerrin vetem me barrela ose lajmi për plotësimin e kërkesave.

Ne kemi marrë vendim ekstrem, edhe ujin do ta refuzojmë, edhe shëndetësinë do ta refuzojmë. Kur ta na nxjerin me barela dhe presim një përgjigje nga ata që duhet të reagojnë. Ata duket që po tallen me ne, sepse në 11 ditë nuk ka asnjë reagim, as nga kompania.

Nuk mbahen familjet tona me fjalë boshe, i kemi thënë 1 mijë herë hallet tona. E ka marrë vesh gjithë bota se çfarë kërkojnë naftëtarët. Shpresojmë tani që të takohemi me zgjidhje ose me barela kur të dalim", ka thënë Dautaj për mediat.

Kyçja e portës shënoi edhe mbylljen e komunikimit me të gjithë jashtë grevës.

Mjekët që erdhën për kontrollin e gjendjes shëndetësore u refuzuan, ndërsa më pas edhe telefonët rezultonin të fikur

Jashtë ambienteve të grevës ndërkohë qëndrojnë të tjerë naftëtarë në mbështetje.

Në reagimin e parë për grevën, kryeministri Edi Rama tha se ishte çështje e një kompanie private, por megjithëatë shtoi se po punohet për zgjidhje!

Naftëtarët nga ana tjetër kërkojnë pagat e fituara me vendim gjykate dhe garanci shtetërore për rinisjen e punës.