Basha pret komisionerin europian: Miratimi i njëanshëm i reformës zgjedhore cënon zgjedhjet
Qëndrimin e tij kundër ndryshimeve të njëanshme të kodit zgjedhor, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ja ka shprehur edhe komisionerit Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi gjatë takimit që pati më të në selinë blu.
Sipas Bashës, ky akt cënon rëndë standartin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit.
Basha: Me Komisionerin e Zgjerimit diskutuam dhe për reformën zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që shembi themelet mbi të cilat u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Gjatë bisedës i bëra të ditur zotit Varhelyi se reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës. PS duke e ditur se ndryshimet janë në kundërshtim me praktikat e mira të zgjedhjeve refuzoi marrjen e mendimit të OSBE/ODHIR. Për herë të parë në Shqipëri u shkelën praktikat konsensuale mbi të cilat janë kryer reformat zgjedhore deri më sot. Ky akt cënon rëndë standartin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit.
Kryeopozitari thotë se e informoi komisionerin europian edhe për situatën tejet të vështirë ekonomike dhe korrupsionin

Basha: Pasi e falenderova për ndihmën e jashtëzakonshme që BE i ka dhënë Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë e informova për situatën tejet të vështirë ekonomike dhe korrupsionin që po i varfëron gjithnjë e më shumë shqiptarët dhe po mban larg investitorët e huaj. Në këtë situatë të vështirë ndihma e BE-së është jetike për të rritur mirëqenien dhe mbështetur sipërmarrjen.
Por nga ana tjetër Basha thotë se e siguroi komisionierin Varhelyi se për Partinë Demokratike dhe Opozitën e Bashkuar mbetet prioritet integrimi europian i Shqipërisë dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të jetojnë si europianë në vendin e tyre.
Vetë komisioneri u mjaftua me këtë postim në twitter për takimin me Bashën.
Varhelyi: Në Tiranë takova gjithashtu udhëheqësin e opozitës jashtë-parlamentare për të diskutuar për rrugën e Shqipërisë drejt BE dhe reformën zgjedhore.
