Tenderi pa garë për uniformat në Bashkinë e Tiranës
Tenderat pa garë, ku pjesëmarrës është vetëm një konkurent që automatiksht shpallet dhe fitues, janë konstatuar shpesh në Bashkinë e Tiranës.
Në fakt, e njëjta procedurë rezulton të jetë ndjekur edhe për blerjen e uniformave dhe veshjeve të tjera speciale për Policinë Bashkiake me fond limit 13 milionë e 333 mijë lekë.
Sipas të dhënave në APP, pjesmarrëse ka qenë vetëm Vojsava Zenelaj, që automatikisht është shpallur edhe fituesja me vlerën e ofertuar prej 13 milionë e 286 mijë e 700 lekë, pra një diferencë shumë e vogël nga fondi limit.
Ky prokurim është shoqëruar dhe me flamur të kuq nga Open Data, me shënimin mungesë konkurrence dhe ndër të tjera citon: “Shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokument në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto tendera meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk.”
Por për tenderin me të njëjtin objekt, Vojsava Zenelaj rezulton të jetë shpallur fituese edhe në vitin 2019.
Në këtë rast, pjesëmarrëse kanë qenë pesë kompani, tre prej të cilave janë skualifikuar dhe fituese është shpallur sërish Zenelaj.
Ky prokurim është shoqëruar me flamurin e kuq nga Open Data, këtë herë me një tjetër argument, skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit dhe rezulton të jetë shoqëruar dhe me ankesa.
Edhe në vitin 2018, sërish për tenderin e uniformave të Policisë Bashkiake të Tiranës është shpallur i njëjti person fitues.
Për rastin në fjalë kanë marrë pjesë dy operatorë, njëri prej tyre është skualifikuar sepse nuk ka paraqitur ofertë dhe e vetmja në garë, automatikisht dhe fituesja, është shpallur Vojsava Zenelaj.
Prej tre vitesh Zenelaj ka fituar tre tendera, pa garë në Bashkinë e Tiranës që kapin vlerën e 35.7 milionë lekëve.
