Zani Çaushi nuk heq dorë, kërkon sërish lirinë e tij në gjykatë

Myrteza Çaushi, ish kreu i bandës së Vlorës në vitin 1997, i njohur edhe si Zani Çaushi rikthehet në Gjykatën e Korçës me nje tentativë për të fituar lirinë me kusht.

Por ndryshe nga Korriku i këtij viti, kur ai kërkoi direkt lirinë, dhe më pas u tërhoq në gjykatë, këtë herë ai ka ndryshuar skemë.

Përmes avokatit, Çaushi ka depozituar më datë 29 Shtator në Gjykatë një kërkesë ku kërkon përllogaritjen e saktë të viteve të burgut që ka bërë.

Ai kërkon që përllogaritja të nisë që nga momenti i arrestimit deri në këtë periudhë kur ai vuan dënimin e përjetshëm në burgun e Drenovës në Korçë.

Çështja është regjistruar pranë Gjykatës dhe mësohet se do të shqyrtohet nga gjyqtari Ervin Sulaj.

Çaushi pretendon se ka kryer në total 31 vite burg, dhe jo 25 siç i llogariten.

Ai është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 për në sërë krimesh dhe pretendon lirinë me kushte pasi ka shlyer pjesën më të madhe të dënimit sic parashikon ligji i kohës.

Më herët, avokati  Arben Lena lajmëroi se ata do të godisnin në gjykatë edhe një masë disiplinore ndaj Zani Çaushit, pasi dosja e pastër gjatë qëndrimit në burg është nje tjetër kusht për lirinë me kusht.

Sipas tij, ai ka bërë 31 vite burg, ndërsa pas lirimit pretendon se do të punësohet për të mundësuar rritjen e dy fëmijëve të tij, të cilët kanë lindur gjatë qëndrimit të tij në burg.

Çfarë pretendon avokati i tij, Arben Lera

Sipas avokatit Arben Lena, klienti i tij Zani Çaushi është duke kërkuar llogaritjen e saktë të viteve të paraburgimit pasi sipas tij, janë bërë gabim.

Çaushi është arrestuar në vitin 1998 është liruar më pas për 1 muaj dhe është riarrestuar.

Në vitin 2001 ai është dënuar me burgim të përjetshëm. Më pas të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë lënë në fuqi këtë dënim.

Por Çaushi pretendon nëpërmjet kërkesës së tij se nuk i është bërë përllogaritja e saktë e muajve të paraburgimit për vitet '98-99 prandaj nëpërmjet kësaj kërkese kërkon rillogaritjen e tyre të saktë.

“CV” e Zani Çaushit:

Myrteza Çaushi, kapobanda i lagjes Çole në Vlorë, i arrestuar dhe i dënuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të viteve ’97 kur në Vlorë sundonte anarkia. Gjatë kohës kur vuante dënimin në burgun e Burrelit, ai u martua me Arjana Panxhën, dhe u bë babai i një djali. Pas transferimit në Korçë, Panxha e ndoqi pas dhe mori një shtëpi me qera në zonë që të qëndronte pranë tij.

Zani Caushi do të mbahet mend si personi që mori në mbrojtje ish-kryeministri italian Romano Prodi gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Gjatë vitit 1997, Caushi ishte i dënuar në një burg të sigurisë së lartë në Greqi, nga ku u arratis ku ishte i dënuar nga drejtësia e Greqisë me 101 vjet burg për vrasje. Në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, u formuan 5 banda, 3 prej tyre ishin rivale me atë të Zanit: Banda e Gaxhait, Banda e Kakamit dhe Banda e Pusit të Mezinit.