Korsi emergjencash "jashtë funksioni", rruga drejt spitalit të Vlorës është kthyer në shëtitore

Rruga e cila të çon në drejtim të spitalit rajonal të Vlorës është rikonstruktuar disa vite më parë dhe në projektin e ri u parashikua krijimi i një korsie emergjence, e cila që ditën e parë të krijimit asnjëherë nuk ka funksionuar.

Qytetarët shprehen se kanë qënë shpesh herë dëshmimtar të rasteve ku në korsinë e emergjencës kalojnë automjete me shpejtësi, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

Irena Meminaj, kordinatore e urgjencës së Vlorës, tregon se çdo ditë grupeve të punës ju duhet të përballen me trafikun e rënduar vetëm nga mosfunksionimi i kësaj korsie.

Sipas Meminajt, bashkia Vlorë por edhe policia rrugore dhe bashkiake, duhet të jetë më efektive në këtë drejtim dhe ti japin zgjidhje njëherë e mirë këtij problemi.

Përveç të tjerash, problem mbeten edhe furgonët që furnizojnë bizneset pranë rrugës, të cilët në shumë raste bllokojnë totalisht këtë korsi emergjence.