Ekstradohet ekzekutori i Nimet Zyberit, Paulin Nika do të vuajë në Shqipëri dënimin me 30 vite
Interpol Tiranë ka ekstraduar nga Italia 40-vjeçarin shqiptar, Paulin Nikaj, i dënuar me 30 vite burg nga gjykata italiane pasi ekzekutoi në parkimin e një qendre tregtare në Rimini bashkëkombasin e tij Nimet Zyberi.
30-vjeçari shqiptar u ekzekutua ne sy të bashkëshortes shtatzënë dhe dy fëmijëve të mitur, ndërsa auttori mundi të arrestohej disa muaj më vonë në Zvicër.
Nikaj u dënua me vendimin penal të formës së prerë të datës 1 shkurt 2017 të Gjykatës së Krimeve të Rënda të Apelit, përfundimisht me 30 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja”, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit”, “Dëmtime personale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Tashmë 40-vjeçari nga Kruja do ta kryejë dënimin në Shqipëri.
Një tjetër e kërkuar nga drejtësia shqiptare është ekstraduar nga Greqia.
43-vjeçarja nga Fieri, Aurela Doksani, ka qenë prej vitesh një nga 4 femrat më të kërkuara nga drejtësia.
Ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet tona të drejtësisë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Nga hetimet është provuar se në bashkëpunim me persona të tjerë, ajo ka tentuar të trafikojë drejt Greqisë, në rrugë tokësore, lëndë narkotike të llojit heroinë.
Në momentin e arrestimit, më datë 08 gusht 2011, i është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 129.3 gramë lënde narkotike.
Më datë 12.08.2011, Gjykata ka vendosur ndaj saj masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, më datë 11.04.2012, ka nxjerrë urdhër për ekzekutimin e vendimit të mësipërm ndaj të dënuarës, për të vuajtur pjesën e dënimit të mbetur pas datës 09.04.2012 (1184 ditë burgim), në burg të sigurisë së zakonshme.
E dënuara nuk është gjetur në banesë dhe në këto kushte është shpallur në kërkim dhe u prangos në Greqi.
