Rrëzohet teza e Edi Ramës për “modelin shqiptar te koalicioneve”, Bylykbashi tregon ku përdoret ky model në BE
Opozita e bashkuar hedh poshtë aludimet e mazhorancës se nuk ka asnjë vend në Evropë që përdor sistem me lista të hapura dhe koalicione të përbëra.
Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili nga selia blu kanë bërë publike shembullin e Italisë me ligjin Rosato.
Bylykbashi: Koalicioni me listë të përbërë që është marre nga Italia dhe sot është në fuqi në Itali. Keni dëgjuar Edi Ramën që thotë se nuk ekziston askund në Europë modeli shqiptar dhe se si do të tërhiqet, nëse ka një vend që e aplikon. Në 2003 këtë model e miratuam me konsensus. Në 2017, Italia miratoi ligjin Rosato, që aplikohet për zgjedhjet për parlamentin italian koalicionin me listë të përbërë, siç e kemi sot. Kjo edhe për të gjitha zgjedhjet në nivel rajonal apo nivel bashkie në Itali. Ligji Rosato dhe Ligji Tatarellla aplikohet si me votim të mbyllur dhe me votim të hapur. Kjo rrëzon tezën e Edi Ramës se për shkak se hapet lista, duhen hequr koalicionet. Është një model që është përdorur në Francë, në Belgjikë. Koalicioni me listë të përbërë është në fuqi në Itali, një nga vendet demokratike të BE-së.
Pak orë përpara se ndryshimet në kod zgjedhor të votohen në Parlament në mënyrë të njëanshme, përfaqësuesit e opozitës i bëjnë thirrje Edi Ramës për reflektim.
Vasili: Çdo lider mund të ketë pasur atë tërheqje, tendencë apo dëshirë shumë të fortë që të bëjë ndryshime. Por të gjithë janë ndalur, sepse ditën që një lider politik bën ndryshime të tilla të njëanshme, në mënyrë të veçantë për çështjen e zgjedhjeve, thjesht dhe vetëm përgatit gropën e tij politike, por edhe penale për çështjet që e kërcënojnë në horizont.
PD dhe LSI japin alarmin se nësë miratohet nesër kodi pa konsensus, Edi Rama i mbyll derën Shqipërisë për tu integruar në BE.
Bylykbashi: Detyra jonë ishte reforma zgjedhore konsensuale, ne e bëmë këtë deri më 30 qershor për interes të integrimit europian dhe interes të publikut morëm pjesë për të bllokuar Edi Ramën në tentativën për të prishur rregullat. Dhe sot vazhdojmë të denoncojmë këtë dhe rrëzojmë dhe farsën e tij të fundit, që modeli i koalicionit zgjedhor që ka Shqipëria nuk gjendet askund. Pra, është e provuar se vendi nga e kemi marrë e ka sot në fuqi.
Pavarësisht ndryshimit, anëtarët e opozitës në Këshillin Politik theksojnë se PS do të humbasë zgjedhjet në 25 prill.