Dita e pestë e grevës së urisë, përkeqësohet gjendja e njërit prej naftëtarëve. Dërgohet në spital
Aleksandër Mejdani, grevisti i naftëtarëve të Ballshit, është shoqëruar në spital mëngjesin e sotëm.
Sot naftëtarët janë futur në ditën e pestë të grevës së urisë, ndërsa teksa institucionet heshtin, gjendja e tyre shëndetësore sa vjen dhe përkeqësohet.
Mejdani, pjesëmarrës edhe në grevën e muajit shkurt, siç mëson Ora News, kurohet edhe për sëmundjen e diabetit, ndërsa është duke marrë ndihmën e parë në spitalin e qytetit të Ballshit.
Grevistët janë gati të shkojnë deri në vetëflijim për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës.
“Nuk levizim që këtej do dalim të vdekur”
Këtë të enjte, grevës iu bashkua edhe një përfaqësues i punonjësve të Nënstacionit të Poçemit, që po ashtu janë në varësi të Rafinerisë së naftës
“Nuk vemi dot në shtëpi. Kërkoj lekët tu çoj bukë kalamajve”
Naftëtarët e Ballshit thonë se kanë 13 paga të prapambetura të fituara me vendim gjykate, ndërsa punonjësit e Poçemit kanë 20 rroga për të marë!