Shqipëri-Kosovë, Rama: Ambicia jonë heqja përfundimtare e kufijve, Kosova me dalje në Durrës
Mbledhja e dy qeverive Kosovë Shqipëri ishte parashikuar të mbahej një javë më parë në qytetin e Shkodër, por kryeministri Rama vendosi që homologun e tij të Kosovës së bashku me kabinetin qeveritar ta presë në kryeqytet.
Mbledhja e 6 e përbashkët dy qeverive e mbajtur sot (2 tetor)u finalizua më nënshkrimin e 14 marrëveshjeve dhe memorandumeve të cilat kanë në thelb ambicien për heqjen e kufijve ndërmjet dy shteteve.
Edi Rama dhe Avdullah Hoti firmosen marrëveshjet për lehtësimin e procedurave doganore të kontrollit të hyrje-daljeve së mallrave si dhe për nisjen e linjës së përbashkët hekurudhore.
Rama: Ne do të shohim se si do të shkojmë përpara së bashku, duke zhbërë kufirin plotësisht, duke e kthyer kufirin thjeshtë në një vijë administrative gjeografike dhe në një korridor të lirë për lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitaleve.
Rama ka vendosur qytetin e Prizrenit për të hedhur firmën mbi marrëveshjen që i vë Kosovës në dispozicion portin e Durrësit.
Rama: Për pak javë, unë do të vizitoj Kryeministrin, së bashku me një delegacion modest për nga numri, por për një çështje shumë të rëndësishme, për të firmosur përfundimisht edhe marrëveshjen që e kalon doganën e Durrësit në dispozicion të plotë të Kosovës dhe që e kthen Portin e Durrësit në një port të Kosovës “de facto”. Që do të thotë, çdo mall i ardhur në Durrës për të shkuar në Kosovë, kur shkarkohet në Durrës, është shkarkuar në Kosovë. Aty janë autoritetet doganore të Kosovës që e marrin, e trajtojnë dhe e çojnë lejen për në destinacion.
Linja hekurudhore Nish-Prishtinë-Durrës do të jetë nga nga projektet më ambiciozë të dy qeverive.
Hoti: Unë nuk dëshiroj të them fjalë të mëdha për kuptimin historik të këtyre marrëveshjeve, por jam i bindur që krijojnë një momentum të ri në bashkëpunimin tonë ndërshtetëror, sepse janë projekte që i lidhin fuqishëm ekonomitë dhe shoqëritë tona. Por, mbi të gjitha, në shumicën e këtyre marrëveshjeve, ne tani kemi një këndvështrim rajonal në qasjen që kemi, edhe në infrastrukturë, përshembull, projekti i hekurudhës që lidh Portin e Durrësit me Prishtinën e mandej vazhdon në pjesë të tjera të Ballkanit dhe Europën Qendrore dhe projekte të tjera që kanë implikime regjionale. Me këto marrëveshje dhe me qasjen që kemi ndërtuar me Kryeministrin Rama, besoj se si dy vende tanimë shihemi dhe punojmë intensivisht që të kontribuojmë në stabilitetin rajonal dhe në zhvillimin e mbarë rajonit, duke i sjellë bashkë të gjithë kontribuesit e këtij stabiliteti dhe të zhvillimit në rajon.
Heqjen e plotë të kufijve mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, Rama e cilëson si një hap i mëndësisë së minishengenit ballkanik, ku Kosova njoftoi që do jetë e pranishme në tryezën e radhës.
Rama: Natyrisht më vjen shumë mirë që tabuja e Shengenit Rajonal ka rënë. E përsëris dhe këtu që Shengeni Rajonal është projekti i fëmijëve tanë, një projekt që asnjë burrë, në çfarëdo moshe qoftë, nuk mund ta marrë peng dhe nuk duhet ta vonojë, duke shfrytëzuar mandat përfaqësimi nga populli ynë këtej dhe andej bjeshkëve. Shengeni Rajonal është një projekt, i cili do të ndikojë drejtpërdrejtë në një të ardhme shumë më të mirë për të rinjtë, për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë.
Është një projekt transformues për mënyrën e të jetuarit në një rajon ku duhet të bëjmë çmos dhe është detyrimi ynë të bëjmë çmos të shkëputemi përfundimisht nga e shkuara, por është dhe një projekt transformues për vetë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së madhe të njohjes së Kosovës nga Serbia, e cila mund dhe do të realizohet vetëm në rrugë diplomatike dhe përmes mençurisë, durimit dhe aftësisë për të fituar një betejë si kjo, që është diplomatike sot, nuk është ushtarake.
Madje Edi Rama është i bindur se ky projekt rajonal do të sjellë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, ndërsa Avdullah Hoti e cilëson një trampolinë të përkohshme.
Marrëveshja e Washingtonit, sipas Ramës, e vendosi Kosovën në pozicionin e duhur diplomatik.
Rama: Mësimi që duhet të nxjerrim nga Marrëveshja e Washingtonit është që ka shumë gjëra që ne shqiptarët mund t’i bëjmë vetë, duhet t’i bëjmë vetë dhe do t’i kishim bërë vetë, nëse nuk do të ishim kaq kalamaj saç kemi qenë dhe saç jemi zakonisht kur vjen puna për të shpërdorur besimin e atyre që na zgjedhin dhe për të shfrytëzuar halle, probleme, pakënaqësi, mërzi të natyrshme të tyre, jo që të fitojmë më shumë mbështetje duke i adresuar ato, por që të hapim luftëra imagjinare, që shkojnë deri në absurdin e hapjes së një lufte imagjinare me SHBA-në. Kjo është Marrëveshja e Washingtonit për mua.
Hatërmbetjet e kreut të qeverisë shqiptare me ish-kryeminstrin Albin Kurtin ishin të dukshme gjatë gjithë konferencës së përbashkët për shtyp.
Rama: Çdo rrugë tjetër çon në qorrsokak. Dhe pasojat e qorrsokakut, Kosova nuk ia ka borxh asnjë politikani dhe asnjë revolucionari dhe asnjë figure që shfrytëzon pikërisht ato plagë që duhen kuruar jo për të kuruar plagët, por për të përdorur dhimbjen e atyre plagëve në funksion të luftës së vet politike.
Por i ashpër Rama nuk ishte vetëm më paraardhësit e Hotit në Kosovë. Ai nuk la pa thumbuar edhe BE, por edhe në këtë pikë kryeministri i Kosovës u tregua më i përmbajtur.
Rama: Në ndërkohën që Kosova ka që në 2018-ën që ka plotësuar 95 kriteret, një për një, për liberalizimin e vizave dhe pret e pret dhe merr refuzime dhe refuzime nga Bashkimi Europian, pa pikë turpi, për çështje që s’kanë të bëjnë fare me Kosovën, por që kanë të bëjnë me dinamikat e brendshme elektorale në vende të ndryshme të BE-së, sipas rasteve, kur mblidhen konsultat në Bruksel për të marrë vendime dhe në ndërkohë kur ne të gjithë, - se unë po e po, - po e mësojmë që ecuria në procesin e integrimit europian lidhet sa me atë që bëjmë ne vetë, aq dhe me atë që s’ka të bëjë me ne fare dhe nganjëherë më shumë me atë që s’ka të bëjë me ne, sesa me të që ka të bëjë me ne. Atëherë, ne paralelisht duhet të hapim komplet së paku atë që mund të hapim, që është hapësira mes nesh, hapësira në rajonin tonë, për t’u integruar në BE patjetër, sepse BE-ja dhe integrimi në BE nuk ka alternativë.
Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë ranë dakord për një strategji të përbashkët në përballimin e COVID-19 si dhe ndihmë të përbashkët në raste të fatkeqësive natyrore.
Gjithashtu ministrat përkatës firmosën marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat, krijimin e korridorit digjital 5G, ligë e përbashkët e basketbollit si dhe krijimin e një fondi të përbashkët në ndihmë të Luginës së Preshevës.
Ora News siguron marrëveshjet që pritet të nënshkruhen mes dy qeverive.
- Marrëveshje për Zbatimin e Lehtësirave të Ndërsjella në Procedurat Doganore të Kontrollit të Hyrje-Daljeve së Mallrave.
- Bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor
- Krijimi i fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës
- Bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjelltë në raste fatkeqësish Natyrore dhe fatkeqësive të tjera
- Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë
- Marrëveshje për shmangien e Tatimit të dyfishtë mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin si dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal
- Marrëveshje bashkëpunimi mes MF dhe Ministrise së Ekonomisë dhe Punësimit
- Krijimi i Korridorit Digjital 5G
- Themelimi i Ligës së Përbashkët të Basketbollit
- Platformë e përbashkët digjitale të Arsimit parauniversitar
- Kalendar i Përbashkët Kulturor vjetor
- Marrëveshje për bashkëprodhim të Filmit
- Memorandum bashkëpunimi mes Ministrive të Kulturës - Marrëveshje për përballimin e Covid 19
AXHENDA:
11.00 – Mbërritja e delegacionit të Republikës së Kosovës përpara Pallatit të Kongreseve (Vendi: Pallati i Kongreseve)
11.15 – Mbërritja e Sh.T. Avdullah Hoti, Kryeministër i Republikës së Kosovës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit
11.30 – Çelja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Shqipëri-Kosovë (Vendi: Holli kryesor, Pallati i Kongreseve)
Fjalë e Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Fjalë e Sh.T. Avdullah Hoti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim
Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë përmbyll sesionin plenar
12.45 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare
13.00 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave
(Vendi:Holli kryesor, Pallati i Kongreseve)
13.30 – Foto e përbashkët (Vendi :Holli kryesor, Pallati i Kongreseve)
Mbledhja e sotme është mbledhja e gjashtë e përbashkët e dy qeverive.
Mbledhja e parë e përbashkët u mbajt më 11 janar të vitit 2014 në Prizren dhe drejtohej nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, të cilët atë ngjarje e quajtën “historike”. /A.R,OraNews