Morata: Pirlo, ajo që i duhej Juves. E kam të qartë se çfarë duhet të bëj

Kanë kaluar katër vjet që kur Alvaro Morata u largua nga Juventusi për t’u kthyer te Real Madridi, ku megjithatë nuk arriti “të lëshonte rrënjë”. Pastaj erdhi përvoja te Chelsea dhe rikthimi në Madrid, por te skuadra e Atleticos.

Morata synon një rikthim mbresëlënës në Torino, qytet ku ai ndoshta ka jetuar sezonet më të mira të karrierës së tij.

Spanjolli ishte vendimtar për kualifikimin e Juventus në finalen e Champions League 2015, por pa mundur ta fitojë atë (u mposht nga Barcelona).

“Është shumë bukur të jem këtu pas një rruge që më bëri të rritem si lojtar dhe si njeri. Ndoshta nuk kam kaluar momente shumë të mira, por tani jam në vendin e duhur e në kohën e duhur. E kam të qartë se çfarë duhet të bëj", ka thënë Morata gjatë një konference për shtyp.

Sa i përket Andrea Pirlos si trajner, sulmuesi spanjoll tha:

“Ishte një ndjenjë e bukur, e dija më parë se ai do të ishte trajneri i Juves, sepse kjo është ajo për të cilën është bërë. Është ajo që i duhet Juventusit”

Ndërkohë sulmuesi ka edhe një objektiv sa i përket golave sezonalë.

“Dua të shënoj shumë, jam një sulmues, por kam parë kaq shumë sulmues që shënojnë 40 gola dhe nuk fitojnë asgjë. Gjëja më e rëndësishme është të fitosh si ekip. Nëse shikon vetëm numrat, atëherë duhet të ndjekësh më mirë tenisin", tha ai.

Sa i përket Cristiano Ronaldos, shok skuadre edhe te Real Madrid, Morata u shpreh:

“E njoh mjaft mirë Cristianon. Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me të, ai më tha se është i lumtur që jam këtu. Kemi folur me njëri-tjetrin edhe kur nuk ishim shokë skuadre”.