Maqedoni e Veriut, javën e ardhshme diskutohet hapja e kufijve pa kushte me rajonin

Maqedonia e Veriut do të diskutojë javën e ardhshme për hapjen eventuale të kufijve me shtetet e rajonit pa kushte.

Vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe Greqia e Bullgaria do të rilidhen sërish “on-line” për tu koordinuar për lëvizjen e qytetarëve, por edhe për situatën me Pandeminë.

Zv/ministri i Shëndetësisë Armend Arsllani tha se me vendet e rajonit janë dakordësuar për të hartuar një dokument për protokoll të ndërsjellë për kufijtë.

“Grupet punuese janë në aktivitetet e tyre të përditshme, kemi shkëmbim të informacioneve gjatë gjithë periudhës dhe tani ne presim një hap tjetër, në të cilën do të kemi edhe një përgjigje konkrete gjatë video-konferencës për të pasur një protokoll të harmonizuar dhe konkret me të gjitha mënyrat sesi do të vazhdoj lëvizja sa më e lehtë e të gjithë udhëtarëve, por gjithmonë duke pasur një kontroll të shpërndarjes dhe përhapjes së virusit korona'', tha Arsllani.

Lëvizje të lirë pa test dhe pa kufizime të tjera, Maqedonia e Veriut për momentin ka vetëm me Shqipërinë. Ndërsa lehtësimi i lëvizjes varet edhe nga situata epidemiologjike në Maqedoni, e cila po shkon drejt përmirësimit. Pas disa muajve, numri i rasteve aktive ka rënë nën dy mijë, përkatësisht sot janë 1,895 raste aktive./Alsat/